Biznesi: Kujdes me ligjin "Antimafia"
Një pjesë e të ardhurave shqiptarët i kanë krijuar nga emigrimi, ku më së shumti është punuar në të zezë. Duke pasur parasysh këtë faktor, zbatimi i ligjit "Antimafia" mund të cenojë një pjesë të mirë të individëve që me të ardhurat nga emigrimi kanë hapur aktivitete të ndryshme private. Bizneset industriale e mbështesin në parim ligjin e iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, por nga ana tjetër sugjerojnë që të bëhet kujdes gjatë zbatimit në terren, pasi mund të preken biznese që nuk kanë lidhje me aktivitetin kriminal. Konfindustria, duke u nisur nga sjellja e ligjit "Antimafia" për shqyrtim në Kuvendin e Shqipërisë, shpreh domosdoshmërinë e ndryshimeve në përmbajtjen e tij përpara miratimit përfundimtar të tij në seancë plenare. Zbatimi i tij në formën e paraqitur do të kishte pasoja në uljen e të hyrave nga emigrantët, largim të kapitaleve dhe frenim të iniciativës investuese në vend, aq shumë të nevojshme për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit dhe sidomos përballjes me pasojat e krizës globale financiare. "Ligji në fjalë, për thelbin dhe për më shumë për pasojat, që mund të sjellë në zbatimin e tij, është nga aktet ligjore më të ndjeshme, që rrallëherë mund të jenë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe për këtë arsye duhet kushtuar kujdes i veçantë. Parimisht nuk e kundërshtojmë ligjin në fjalë, duke e vlerësuar si masë të luftës kundër krimit të organizuar", thotë Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i Konfindustrias. Nëse do të studiojmë më në thellësi, arrijmë në përfundimin se pikërisht zbatimi i një ligji të tillë në Shqipëri, në një mjedis institucional dhe një realitet ekonomik, që ndryshon krejtësisht nga vendet e BE-së, që sillen si krahasim, mund të sjellë pasoja krejtësisht të kundërta me vetë qëllimin e krijimit të tij. "Të mos harrojmë, se me termin ‘nivel i pajustifikuar ekonomik‘ mund të shkohet deri aty sa të vihet në dyshim pasuria praktikisht e një shumice dërrmuese të bizneseve dhe pothuaj një shumice qytetarësh shqiptarë, që në masë mjaft të madhe janë në emigracion prej pothuaj 20 vjetësh dhe që në shumë raste kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për arsye objektive të padëshirueshme në ‘të zezë‘. Një gjë e tillë vlen edhe për shumë nga bizneset në Shqipëri, që fillimin e punës së tyre e kanë pikërisht me kapitale të fituara në të njëjtën mënyrë", thekson Buxhuku. Konfindustria mendon se është domosdoshmëri përmirësimi i projektit në fjalë. Kërkohet parashikimi i domosdoshëm i kushtëzimit në ligj të zotërimit paraprak nga ana e institucioneve shtetërore, të provave të prekshme dhe bindëse fillestare, që tregojnë për veprimtari kriminale të subjektit, biznesit dhe qytetarit për të filluar procedimin ligjor të mëtejshëm. "Në rast të kundërt, pasojat do të ishin shqetësuese", përfundon Buxhuku. Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë e mbështet në parim projektligjin "Antimafia", por shton se duhet bërë kujdes në zbatimin e tij.