E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Kuvendi të miratojë Gjykatën Administrative

Tryeza e rrumbullakët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile në Shkodër, e organizuar nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative, i drejtoi një thirrje Parlamentit shqiptar që të miratojë sa më shpejt ligjin për Gjykatat Administrative. Në peticionin e nënshkruar për këtë qëllim vihet në dukje se sistemi i Gjykatave Administrative do të jetë një mekanizëm i efektshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat ligjore të të gjithë qytetarëve lidhur me çështje që kanë të bëjnë me punësimin në institucionet shtetërore, prokurimet publike, tatimet, doganat, pensionet, regjistrimin dhe licencimin e biznesit, regjistrimin e pasurive të patundshme, apo dhe kthimin e kompensimin e pronave. Tryeza e rrumbullakët nënvizoi dhe rëndësinë që në momentin e miratimit të projektligjit nga Parlamenti, qeveria të ketë planifikuar buxhetin e duhur për ngritjen e gjykatave administrative gjatë vitit 2010, si dhe të ketë përcaktuar mjediset ku do të veprojnë gjykatat administrative. Projektligji për Gjykatat Administrative, i cili është tashmë në programin e punës së Parlamentit shqiptar, është përgatitur nga me ndihmën e eksperteve nga Bashkimi Europian dhe përfshin gati të gjitha rekomandimet e bëra nga ekspertët e qeverisë, të opozitës dhe nga ekspertë të huaj. Tryeza e rrumbullakët, e cila është pjesë e veprimtarive të planifikuara nga Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative në të gjithë vendin, u organizua edhe me përkrahjen e USAID. Koalicioni është i përbërë nga 34 shoqata biznesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›