E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, asnjë lek për tunelet e Berishës

"Do të ndërtoj dy tunele në rrugën e Arbërit, një tunel në Elbasan, dy tunele në Boshtin e Jugut", deklaroi Kryeministri Sali Berisha të enjten në darkë në Parlament, ndërsa prezantonte projektbuxhetin e vitit 2010. "Edhe aty gjeologjia është e papërshtatshme, por ne do t‘i ndërtojmë", vijoi më tej Berisha, ndërkohë që ministrat pranë tij kruanin kokën. Por këto tunele, nëse do të ndërtohen, kurrsesi nuk do të ndërtohen me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Projektligji i miratuar në Parlament, shoqërohet me një listë të të gjitha veprave infrastrukturore që do të financohen vitin e ardhshëm, por për tre rrugët e përmendura nga Kryeministri janë ndarë vetëm disa milionë dollarë që do të përdoren për mirëmbajtje apo për shtrimin me asfalt e pak kilometrave. Kryeministri premtoi një pafundësi rrugësh tërësisht të reja të përfolura gjerësisht në media gjatë dhjetë viteve të fundit, në një fjalim që zgjati gati një orë. Fjalimi nuk u publikua në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave, që publikon zakonisht të gjitha fjalimet e Berishës.

Buxheti
Ministria e Transporteve do të investojë 32 miliardë lekë vitin e ardhshëm ose rreth 237 milionë euro. Nga këto, 12.7 miliardë do të përdoren për ndërtim rrugësh të reja, një pjesë shumë e madhe do të shkojë për vijimin e punimeve në rrugën Durrës-Morinë. Ka dy fonde të ndara për të ashtuquajturën "Rrugë e Arbërit", një zë punimesh për rrugën Tiranë-Elbasan dhe asnjë zë punimesh për të ashtuquajturin "Boshti i Jugut". Nga ana e Tiranës, një segment i vogël pranë Brrarit me vlerë rreth 1 milion euro do të prokurohet, sipas ligjit të buxhetit, ndërsa në Bulqizë, disa kilometra të reja do të shtohen në vendin e quajtur Dalja e Urës së Vashës.

Tunelet mediatike
Një rrugë e re Tiranë-Elbasan me tunel nën qafën e Krrabës është përfolur që në vitet ‘80, por para zgjedhjeve, një valë njoftimesh mediatike me origjinë të dyshimtë njoftuan se paratë qenë gjetur në Katar apo në Kanada, në varësi të njoftimit. Njoftimet u fashitën menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. I ashtuquajturi Boshti i Jugut, duhet të lidhë Beratin me Tepelenën përmes një rruge malore ekzistuese. Nevoja për një rrugë të tillë është amplifikuar thjesht nga gazetat. Sipas Berishës, në këtë aks rrugor nevojiten edhe dy tunele.
Rruga e Arbërit është një histori tjetër. Gjatë viteve të fundit, ka paSur njoftime pa fund nga qeveria për fillimin e punimeve në këtë segment që duhet të lidhë Tiranën me Dibrën (Maqedoni) përmes rrugës historike të mushkave nga ku kaloi edhe Shën Pali. Punimet e qeverisë deri tani kanë konsistuar në riasfaltimin e rrugës ekzistuese Burrel-Bulqizë-Dibër. Një projekt i hartuar në mënyrë private nga një inxhinier parashikon dy tunele në këtë rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›