Grabitën sllovenët, zbulohen "policët"
Katër sllovenë janë grabitur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur Kthesa e Thumanës, në aksin Fushë-Krujë - Laç. Të katër sllovenët punonin me një projekt në Shqipëri dhe po lëviznin nga sektori "Apolonia" në Durrës drejt qytetit të Fushë-Krujës. Menjëherë me të marrë informacionin, policia ka nisur hetimin e ngjarjes. Policia thotë se grabitja ndodhi rreth orës 04.00 të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që ka identifikuar disa të dyshuar, por ende nuk ka kryer ndonjë ndalim. Katër specialistët sllovenë të kompanisë "Deka", përkatësisht Franko Zankolic, 54 vjeç, Krieva Boric, 53 vjeç, Boshjan Lesja, 35 vjeç dhe Pulic Dragan, 49 vjeç, kanë rënë pre e vjedhjes nga persona që pasi i kanë ndjekur me një automjet, që rezulton të jetë i vjedhur, i kanë ndaluar dhe u kanë marrë makinën dhe 2500 euro. "Zbrisni nga makina dhe lini gjithçka këtu. Ky është një kontroll policor për armë dhe drogë". Me këto fjalë, dy personat, të cilët kanë qenë të paarmatosur, sipas dëshmisë së sllovenëve me lëvizje të shpejta kanë kryer vjedhjen e sllovenëve në afërsi të Thumanës. Të huajt janë me banim në sektorin "Apolonia" të plazhit të Durrësit dhe rreth orës 03.00 të mëngjesit janë nisur për në vendin e punës, në Thumanë të Krujës, ku kompania për të cilën punojnë ka një filial të vetin. Që në superstradën Durrës-Tiranë, ata kanë vënë re një automjet që qëndronte pas tyre dhe vazhdimisht u bënte sinjal me drita. Kur kanë hyrë në superstradën Tiranë-Lezhë, sllovenët kanë ndaluar për shkak të insistimit në sinjale të makinës që kishin pas. Ajo ka qenë një makinë "Ford Fiesta", me targa TR 3379 I, që rezulton në pronësi të Hysen C., nga e cila kanë zbritur dy persona që i kanë pyetur nëse janë italianë. Pasi kanë marrë vesh se katër të huajt ishin sllovenë, janë prezantuar si punonjës të policisë dhe kanë deklaruar se ndalimi ishte për një kontroll armësh e lëndësh narkotike të automjetit tip "Seat" me ngjyrë të zezë dhe targa të huaja. U kanë kërkuar që të nxjerrin të gjitha paratë që kanë me vete dhe më pas secili prej tyre ka hipur në makinë për t‘u larguar me paratë e sllovenëve dhe automjetin me të cilin ata udhëtonin. Pas kësaj ngjarje, sllovenët kanë kuptuar se kanë rënë pre e grabitjes dhe kanë njoftuar policinë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore dhe sirenat e tyre në largësi kanë bërë që grabitësit të braktisin makinën e tyre, duke i vënë flakën, që ka djegur vetëm sediljen e parë. Policia, që ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ka mundur të shuajë zjarrin dhe të bëjë verifikimet e nevojshme për pronësinë e automjetit. Mjeti ishte denoncuar si i vjedhur mëngjesin e djeshëm, pasi poseduesi kishte deklaruar se mjetin ia kishin marrë në afërsi të lokalit "Piazza". Ngjarja e rëndë ka ngritur në këmbë të gjithë drejtuesit dhe agjentët antikrim të Durrësit e Krujës, ndërkohë që janë ngritur postblloqe për kapjen e autorëve apo dhe gjetjen e automjetit të vjedhur të sllovenëve. Sipas policisë, dy nga autorët e dyshuar janë identifikuar, por akoma nuk është bërë ndalimi i tyre, për shkak se ende nuk është bërë dokumentimi i plotë i ngjarjes.
Va. Qy.
Va. Qy.