Grabitet lokali, plagosen me armë burrë e grua
Grabitet me armë një lokal në Mamurras, ku mbetën të plagosur pronari dhe gruaja e tij. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës, ndërkohë që ditën e djeshme, policia ka mundur të vendosë në pranga autorët e dyshuar të saj. Sipas policisë, u krye arrestimi i shtetasit Gjergj Ndoj, 28 vjeç, banues në lagjen "Demokracia" të qytetit të Mamurrasit dhe i nipi i tij, A. Ndoi, 16 vjeç. Këta dy persona, rreth orës 22.45 të së enjtes, janë futur në lokalin e shtetasit Skënder Uka, të cilët të pajisur me armë zjarri dhe të maskuar, kanë tentuar për të vjedhur lokalin. Konkretisht ata kanë dashur të marrin paratë që ndodheshin në sirtarin e banakut. I menjëhershëm ka qenë reagimi i pronarit të lokalit, i cili ka kundërshtuar dhe nuk ka lejuar autorët që t‘i afroheshin banakut. Ai është përleshur trup me trup me dy autorët. Gjatë përleshjes janë realizuar dy qitje me armë. Në atë kohë janë afruar familjarët e pronarit të lokalit, konkretisht bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij, të cilët janë përleshur. Familjarët kanë arritur të identifikojnë autorët, pasi u kanë hequr maskat nga koka. Gjatë përleshjes ka mbetur e plagosur pronarja e lokalit, Asie Uka, 45 vjeçe, bashkëshortja e Skënder Ukës. Ajo është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Edhe Skënder Uka, 48 vjeç, ka marrë plagë të lehta në kokë, pasi autorët e kanë goditur me tytën e pistoletës, por nuk ka rrezik për jetën. Në afërsi të lokalit është afruar një punonjës policie, i cili është përleshur me dy autorët dhe ka bërë të mundur kapjen e tyre. Me këtë është mundësuar parandalimi i një ngjarjeje ekstreme, pasi grabitësit donin të vrisnin pronarët e lokalit.
Ble. Gi.
Ble. Gi.