Rusi, dy avionë luftarakë rrëzohen gjatë një fluturimi provë
Dy avionë rusë, dy luftarakë Su-27 , janë përplasur në ajër gjatë një seance stërvitore. Ngjarja ndodhi gjatë një shfaqjeje ajrore me përmasa të mëdha në afërsi të Moskës gjatë orëve të para të së dielës, raportoi agjensia ruse e lajmeve. Po sipas këtij burimi, që citon burime ushtarake, një pilot ka humbur jetën gjatë stërvitjes për një demonstrim ajror në afërsi të kryeqytetit rus ku u përplasën dy avionë reaktivë luftarakë të tipit Suhoi 27. Dy pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit arritën të shpëtonin pasi vunë në përdorim katapultën. Disa pjesë të avionit provokuan gjithashtu plagosjen e të paktën pesë personave të tjerë që ndodheshin në shtëpitë e tyre, në afërsi të pistës Shukovski pranë Moskës. Agjensia e lajmeve RIA raporton se sipas dëshmitarëve, avioni ka rënë rreth 5 km ose 3 milje, larg pistës Zhukovsky dhe se në vendngjarje ka patur shtëllunga të mëdha tymi. Po sipas dëshmitarit, dy parashutistë janë parë në ajër pas përplasjes. Agjensia e lajmeve Interfax bën të ditur se zyra e prokurorirsë ushtarake në Moskë, ka nisur hetimin për të gjetur shkakun e aksidentit.