E Diel, 1 Nëntor 2026

Afganistan, talebanët kërcënojnë me sulme ndaj qendrave të votimit

Talebanët planifikojnë të sulmojnë qendrat e votimit gjatë zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit në Afganistan, për të shkurajuar qytetarët që shkojnë të votojnë, bëhet e ditur sipas disa fletushkave që janë shpërndarë gjatë orëve të fundit në disa fshatra në jug të vendit. Edhe disa javë më parë talebanët bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, por kjo është hera e parë që ata deklarojnë se do të sulmojnë pikërisht qendrat e votimeve.
Në tekstin e fletushkave që u shpërndanë në disa provinca, ndër të cilat edhe në Kandahar, thuhet se qytetarët që do të shkojnë të votojnë do të konsiderohen si aleatë të qeverisë afgane dhe të trupave të huaja, pra "armiq të Islamit". Ndërkohë banorët e disa qendrave të ndryshme të distriktit të Gailanit, në provincën e Ghanzit, në pjesën qendrore të Afganistanit, kanë raportuar se militantët talebanë kanë sekuestruar çertifikatat elektorale të shumë personave. Disa ditë më parë, Komisioni elektoral afgan njoftoi se disa nga qendrat e votimit në provincat e Kandahar, Helmand, Zabul, Maidan Wardak dhe Ghazni, do të qëndrojnë të mbyllura.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›