Rusi, mbahen sot zgjedhjet Presidenciale, opozita ngre dyshime për manipulim të procesit
Qendrat zgjedhore janë hapur në të gjithë Rusinë, ndërsa këtë të dielë votohet për presidentin që do të drejtojë vendin në gjashtë vitet e ardhshme.
Sondazhet paraprake flasin për një dominim të dukshëm të Vladimir Putin, i cili pritet të rikthehet në krye të Kremlinit pas katër vitesh në detyrën e kryeministrit.
Ndryshimet kushtetuese, të cilat hoqën kufizimin në dy mandate dhe zgjatën mandatin nga katër në gjashtë vjet në 2011-n lejuan Putin që të konkurronte. 59-vjeçari ka mbajtur pozicionin më të lartë shtetëror në Rusi edhe në periudhën 2000-08.
Putin është përballur me kundërshti të shumta përpara këtyre zgjedhjeve, lidhur me parregullsitë e regjistruara në zgjedhjet parlamentare të muajit dhjetor.
Zgjedhjet do të zgjasin nga ora tetë e mëngjesit deri në tetë të mbrëmjes me orën lokale të secilës zonë në Rusi, në total, nëntë linja të ndryshme ore.
Moska, qendra e pakënaqësive ndaj partisë së “Rusisë së Bashkuar” është përforcuar edhe me gjashtë muaj trupa policorë të ardhura nga provincat e tjera.
Kundërshtari kryesor i Putin është Gennady Zyuganov, i Partisë Komuniste Ruse. Sidoqoftë, sipas sondazheve, kryeministri pritet të grumbullojë më shumë se gjysmën e votave, rreth 60% të tyre, duke shënuar një rikthim të thjeshtë drejt Kremlinit.