Aktiviteti në përvjetorin e 568-të të Besëlidhjes, organizim i Bashkisë Lezhë
Protokolli i Shtetit sqaron “incidentin” me Presidentin Topi
“Drejtoria e Protokollit të Shtetit nuk ka qenë pjesë e organizimeve në qytetarin e Lezhës në 2 mars”. Ky ka qenë njoftimi zyrtar i nga Protokolli i Shtetit, ku sqarohet se aktiviteti me rastin e 568 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, ka qenë ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme bëhet e ditur se “lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatorët dhe nuk ka patur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit. Protokolli i Shtetit vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij mbikëqyr mbarëvajtjen, nga ana protokollare, të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe të trupit diplomatik”.
Në këtë kuadër, Protokolli i Shtetit ishte i pranishëm në aktivitetin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Po ashtu, Protokolli i Shtetit ka qenë në kontakt me institucionet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe me trupin diplomatik në Tiranë, lidhur me vendosjen protokollare të personaliteteve sipas hierarkisë shtetërore të për caktuar në ceremonialin zyrtar.
“Protokolli i Shtetit shpreh keqardhjen që në raste të përsëritura, siç ishte edhe rasti i përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, është përfshirë në diskutime mediatike dhe politike për gjëra që janë jashtë detyrave të tij të përcaktuara me ligj. Edhe në rastin e fundit, roli dhe angazhimi i Protokollit të Shtetit ka qenë në përputhje të plotë me Ceremonialin zyrtar të Republikës së Shqipërisë”, vlerësohet në këtë njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që Presidenti, Bamir Topi përfshihet në skandale protokollare. Më 17 shkurt të këtij, në përvjetorin e katërt të Pavarësisë së Kosovës, Bamir Topi mashtroi në media se ai dhe Edi Rama nuk ishin ftuar në ceremonitë festive të organizuara nga ambasada e Kosovës, në Tiranë.
Fare mirë, Bamir Topi mund të mësonte nga gafa e mëparshme, ku përgjatë thuajse 1 jave, Presidenca jepte njoftime kontradiktore, derisa pranoi gafën e titullarit të institucionit, me një alibi tjetër mashtruese, se Topi ishte në një gjendje gripale, çka e detyronte të mos ishte i pranishëm në festë. Edhe këtu u akuzua Protokolli i Shtetit se Presidentit Topi dhe kryesocialistit Rama s’u ishte dërguar ftesë, pavarësisht se eventi në fjalë u organizua nga ambasada e Republikës së Kosovës, në Tiranë.
Protokolli i Shtetit
“Aktiviteti i mbajtur në Lezhë, me 2 mars, me rastin e 568 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, ka qenë ideuar, organizuar dhe menaxhuar nga Bashkia e qytetit Lezhë. Lista e pjesëmarrësve, ftesat dhe lista e folësve janë bërë dhe menaxhuar nga organizatorët dhe nuk ka pasur të bëjë aspak me Protokollin e Shtetit. Protokolli i Shtetit vepron mbi bazën e Ceremonialit të Republikës së Shqipërisë dhe në zbatim të tij mbikëqyr mbarëvajtjen, nga ana protokollare, të aktiviteteve ku marrin pjesë personalitetet më të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të shteteve të tjera dhe të trupit diplomatik. Në këtë kuadër, Protokolli i Shtetit ishte i pranishëm në aktivitetin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Po ashtu, Protokolli i Shtetit ka qenë në kontakt me institucionet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe me trupin diplomatik në Tiranë, lidhur me vendosjen protokollare të personaliteteve sipas hierarkisë shtetërore të përcaktuar në ceremonialin zyrtar”.