Siri, rezoluta, versioni përfundimtar votohet pas 48 orësh

Duket se në Këshillin e Sigurimit në Kombet e Bashkuara, është rënë dakort për rezolutën që parashikohet ti japë fund dhunës në Siri, megjithatë raportohet se versioni përfundimtar do të votohet brenda 48 orëve. Ndërkaq Këshilli i Sigurimit të OKB-së vijoi të shqyrtonte projekt-rezolutën, e cila do t`i jepte fund gjakderdhjes në Siri, me një amendament që synon të kapërcejë kundërshtimet e Rusisë. Ambasadorët në Këshillin e Sigurimit thonë se projektrezoluta e re do t`i dërgohet për vlerësim qeverive të tyre, por nuk është e qartë nëse ky variant do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit prej 15 anëtarësh. Një ditë më parë Ambasadorët e Këshillit nuk mundën të arrijnë një marrëveshje mbi projekt-rezolutën euro-arabe, për t`i dhënë fund gjakderdhjes në Siri, pas një sesioni të tretë radhazi me bisedime. Megjithatë, dhuna në Siri nuk ka të ndalur. Gjatë orëve të fundit, të paktën 19 njerëz kanë vdekur, në mesin e tyre edhe fëmijë janë vrarë të premten në rrethinën e Damaskut, kur forcat qeveritare sulmuan zonat në të cilat u mbajtën së fundi protesta anti-qeveritare. Më herët, Rusia, një anëtare e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, premtoi të hedhë poshtë çdo tekst që nënkupton një ndryshim të regjimit në Siri ose që nuk e përjashton ndërhyrjen ushtarake të huaj në mënyrë drejtpërdrejtë.