Rusi, vazhdon lufta kundër zjarreve
Zjarrfikësit dhe punonjësit e emergjencave në Rusi kanë vazhduar përpjekjet për të penguar zjarret që të përhapen në zonat ku ndodhen qendrat bërthamore. Autoritetet ruse njoftuan të martën se janë fikur zjarret që i'u afruan qytetit Snezhinsk në Urale, ku ndodhet një qendër kërkimore bërthamore. Njoftohet se në zjarret e deritanishme kanë humbur jetën 52 persona. Bëhet e ditur se cilësia e ajrit ende është në nivele të rrezikshme për shëndetin. Autoritetet i kanë hedhur poshtë kritikat se nuk kanë qenë mirë të përgatitur për valën e të nxehtit dhe zjarret që shpërthyen. Ndërkohë agjencitë ruse të lajmeve citojnë burime se autoritetet në Kremlin, e kanë kritikuar kryebashkiakun e Moskës, Juri Luzhkov, për shkak se nuk ka qenë në kryeqytetin rus në kohën e shpërthimit të zjarreve. "Mungesa e kryebashkiakut nuk është e dobishme për ndërmarrjen e hapave të nevojshëm në kohën e duhur", ka bërë të ditur një burim.