Rusia: Problemin e Kosovës duhet zgjidhur përmes OKB-së

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Çepurin ka vlerësuar mbrëmë se problemi i Kosovës duhet tëzgjidhet nëpërmjet strukturave të Kombeve të Bashkuara dhe me respektimin e “interesave të natyrshme dhe themelore” të serbëve në Kosovë.
“Formatin e negociatave të Beogradit dhe Prishtinës i ka harmonizuar qeveria e mëparshme (e Serbisë) dhe se rolin e ndërmjetësuesit e ka pasur BE-ja, me të cilin jemi pajhuiar edhe ne (Rusia). Pastaj BE-ja vendosi që në cilësinë e vëzhguesit të bashkohet përfaqësuesi amerikan (Filip Riker), kurse ne (Rusinë) askush nuk e ftoi, andaj Serbia u gjend në një situatë shumë të vështirë”, ka thënë Çepurin për një televizion lokal serb në Zveçan.
Ambasadori rus ka vlerësuar se Serbia “është në pozitë të pavolitshme”, edhe sa i përket “formatit të negociatave” dhe pjesëmarrësve, dhe se rezultatet e formatit të tillë të negocitave mund të jenë të këqija.
“Është fare e qartë se lojtari kyç është Këshilli i Sigurimit të KB, ndërsa rezoluta 1244 është një nga gjërat më të rëndësishme, e cila nuk ka humbur rolin e saj, kushdo që e thotë e këtë. Aty është vendimi i KS që shteti i vetëshpallur i Kosovës nuk është ende anëtar i KB, se ende nuk është njohur dhe se vendimi për këtë varet nga anëtarët e përhershëm të KS”, ka thënë diplomati rus.
Por ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen për përfshirjen eventuale të Rusisë në negociatat e Brukselit./Indeksonline/