E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet skandali i pronave

Akuza të reja për Nuhi Ukën dhe bashkëpunëtorët e tij
“Ish-kryetari i Gjykatës Komunale e fshehu të vërtetën time si pronar i pronës nëpërmjet vendimeve gjyqësore në dobi të palës tjetër.

Qëllimi i tyre ishte ndërtimi i një qendre tregtare”, ka thënë Sejdi Blakçori. Sipas këtij të fundit, Nuhi Uka ka gisht edhe në fshehjen e lëndës, ku Gjykata Supreme e ka refuzuar vendimin e Gjykatës Komunale C. Nr. 1004/2004, të datës 2.9.2005.

Blakçori shprehet se në këtë çështje është i përfshirë edhe ish-drejtori i Kadastrës, Fehmi Havolli, gjyqtarja Nexharije Hoti dhe avokati Sadri Godanci.

Sejdi Blakçori, një qytetar nga Prishtina, i ka akuzuar ish-kryegjyqtarin Nuhi Uka, gjyqtaren Nexharije Hoti, avokatin Sadri Godanci, dhe ish-drejtorin e Kadastrës Fehmi Havolli me pretendimin se kanë tentuar në forma të ndryshme t’ia përkthejnë pronën e tij për interesa të tyre,shkruan kosova sot.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 3 arë e 26 metra katror, e cila gjendet në ish-rrugën “Shkupi 1”, ngjitur me objektin i cili rezulton në pronësi të vjehrrit të ish-kryegjyqtarit Nuhi Uka.

Blakçori thotë se e posedon atë pronë që në vitin 1987 dhe se më 28.5.1993 ka arritur pajtim të plotë me ish-pronarët serbë për shitblerjen e ngastrës kadastrale nr. 5599, me çmim prej 75 000 DM, të cilin e ka paguar në tërësi, duke e përmbushur kështu obligimin e tij të pagesës së çmimit kontraktues të shitblerjes të kësaj patundshmërie.

Blakçori e dëshmon këtë nëpërmjet një faksi të dërguar nga pala serbe më 10.6.1993, me të cilin e ka njoftuar se i ka marrë paratë.

Me dispozitën e nenit 73 të LMD-së, parashihet që kontratat, për lidhjen e të cilave kërkohet forma e shkruar, trajtohen si të vlefshme, edhe pa qenë në këtë formë, nëse palët kontraktuese e kanë përmbushur në tërësi ose pjesën më të madhe të obligimeve që janë në kontratë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›