Rusia do të vazhdojë të prodhojë armë nukleare
Duke folur për 1 orë e 21 minuta për tre kanale televizive, Medvedev e shpjegoi atë objektiv me faktin se "pa armë bërthamore nuk mund të mbronin vendin e tyre". "Ky objektiv është i vlefshëm si për ne po ashtu edhe për amerikanët", shtoi ai duke shpjeguar se ka edhe vende të tjera që duan të bëjnë pjesë në grupin e vendeve bërthamore. "Megjithatë raketat e reja bërthamore do të ndërtohen duke respektuar plotësisht marrëveshjen e ardhshme me presidentin e SHBA-së Barak Obama, një politikan i fortë më të cilin është e thjeshtë të diskutosh dhe me të cilin kemi një marrëdhënie të mirë", deklaroi Medvedev. Presidenti rus deklaroi gjithashtu se e mbështeste idenë për një botë pa armë bërthamore por njëkohësisht ishte i mendimit se "gjithçka duhej bërë gradualisht". Ndërsa për situatën në vend Medvedev u shpreh se kishte lindur nevoja që Rusia të modernizohej dhe premtoi reforma për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.