Rusia e Gusit “ngrin” Anglinë

Anglia i dha fund serisë me pesë fitore duke hedhur një hap të gabuar në Moskën e ftohtë, në tapetin sintetik të "Luzhnikit". Humbja 2-1 me Rusinë mund t'i kushtojë shumë "luanëve", kur tashmë kanë dy pikë më shumë se rusët në Grupin E, që nga ana e tyre kanë edhe nje ndeshje më shumë për të luajtur.
U duk se Anglia e siguroi një vend në finalet e Euro 2008, kur Ujeni Runi realizoi për Anglinë në minutën e 29. Majkell Ouen harkoi topin dhe Runi pasi e stopoi atë me gjoks goditi rrufeshëm brenda zonës së vogël duke nënshtruar portierin rus Vladimir Gabulov.
Rusët u përpoqën shumë pjesën e dytë dhe barazuan nga pika e bardhë e penalltisë me anë të zëvendësuesit Roman Pavlicenko në minutën e 69-të, kur Ujeni Runi pengoi Kostandin Zoranovin. Pas katër minutash sulmuesi i Spartakut të Moskës, 25-vjecari Pavlicenko, kaloi në avantazh Rusinë e Gus Hidinkut, kur realizoi në mënyrë të befasishëm golin e tij të dytë në të 73'.
Ndeshja e parë midis tyre kishte përfunduar me fitoren e Anglisë 3-0.