Shqipëria U-21 barazon në Azerbajxhan

Shpresat e Shqipërisë arritën një rezultat pozitiv në transfertën e Azerbajxhanit, kur i mbyllën të 90 minutat me rezultatin e barabartë 1-1 në "Ismail Qaibov" të Bakut. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë shënuan të parët azerët, më pas barazuan kuqezinjtë tanë.
Një rezultat në pamje të parë i kënaqshëm për Shpresat, kur marrim parasysh edhe peripecitë e udhëtimit të gjatë nga Tirana në Baku dhe grupit që kishte Bushati në dispozicion. Kompanitë e basteve e kishin vlerësuar si më të mundshme fitoren e Shqipërisë (1.20), ndërsa atë të Azerbajxhanit (4.50). Barazimi (3.50).
Gjithsesi duhet kujtuar edhe fakti Azerbajxhani kishte humbur pesë ditë më parë ne transfertë me Ishujt Faroe (1-0).
Ky ishte dhe barazimi i parë i formacionit të drejtuar nga Artan Bushati, teksa kemi humbur dy takime me Italinë (4-0, 0-1)dhe kemi fituar me Ishujt Faroe (1-0) dhe Kroacinë (1-0).
Me barazimin e marrë Shqipëria u ngjit në kuotën e 7 pikëve, duke u shkëputur kater pikë nga Ishujt Faroe e vendit të pestë. Ky ishte dhe barazimi i 21-të i Shqipërisë U-21 në 92 ndeshje të luajtura në Europë, teksa kemi regjistruar edhe 17 fitore e 54 humbje, duke shënuar 64 gola e pësuar 166 të tillë.
Ndeshjet e ardhshme për Kombëtaren U-21 janë ato me Ishujt Faore (17 nëntor) dhe Greqinë (21 nëntor). Sfida me Greqinë është shumë intriguese pasi në radhët e formacionit helen luajnë dy shqiptarë të natyralizuar si grekë: Elin Dhimuco dhe Panajot Kone. Të martën Greqia barazoi 2-2 me Italinë. Në këtë takim Dhimuco luati për 68 minuta, ndërsa Kone u zëvendësua në minutën e 79-të.
Renditja
Italia 5 ndeshje, 13 pike
Greqia 5 10
Kroacia 5 9
Shqiperia 5 7
Ishujt Faroe 5 3
Azerbajxhani 5 1
EURO U-21
NDESHJET E LUAJTURA
01.06.2007
Itali-Shqipëri 4-0
06.06.2007
Shqipëri-Ishujt Faroe 1-0
08.09.2007
Shqipëri-Kroaci 1-0
11.09.2007
Shqipëri-Itali 0-1
17.10.2007
Azerbajxhan-Shqipëri 1-1
DO TË LUHEN
17.11.2007
Ishujt Faroe-Shqipëri
21.11.2007
Greqi-Shqipëri
26.03.2008
Shqipëri-Greqi
06.09.208
Kroaci-Shqipëri
10.09.2008
Shqipëri-Azerbajxhan