Winfried Schafer, trajneri i ri Bullgarisë

Këto ndodhin vetëm në futboll. Ndërkohë që Dimitar Penev është duke shtrënguar dhëmbët për të marrë tri pikë në Shqipëri, Federata Bullgare e Futbollit po zhvillon bisedime intensive për zëvendësimin e trajnerit.
Topsport.bg, një nga faqet prestigjioze bullgare, informon se gjermani Winfried Schafer është pretendenti numër një për pozicionin e trajnerit të kombëtares së futbollit. Federata ka nisur bisedimet me Schafer, ish-trajneri i Kamerunit.
Schafer do të zëvendësojë trajnerin Dimitar Penev, i cili e morri postin nga Hristo Stojckov.
Federata bullgare, që dëshiron të ketë në krye të ekipit një specialist të huaj, ka hasur në kundërshtimin e lojtarëve që dëshirojnë një trajner bullgar. Presidenti Borislav Mihailov e ka bërë të qartë se nuk do të marrë në konsideratë dëshirën e lojtarëve.
Një nga arsyet e thirrjes së Schafer është dhe përmirësimi i disiplinës së ekipit. Një emër tjetër, i menduar se kishte filluar bisedimet për të qenë trajneri i Bullgarisë, ishte dhe Johan Krujf, legjenda e futbollit holandez me "Ajaksin".
Gjithsesi mediat bullgare pohojnë faktin se dhe Krasimir Balakov është në garë për postin e trajnerit.