E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia e vjetër

21-07-2012 / Nga Andrew Rosenthal

Gjëja shqetësuese, e cila menjëherë bie në sy, është sjellja e rrezikshme e Rusisë në Siri – përkrahja e saj për Bashar al-Assadin, ashtu si edhe pengimi i çfarëdo nisme kundër tij në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Nga Andrew Rosenthal
(Nju Jork Tajms)

Rusia e re po i përngjan Bashkimit të dikurshëm Sovjetik në shumë mënyra, të cilat shkaktojnë shqetësim të madh – në mesin e të cilave mund të përmendim zgjedhjet me manipulime, që e maskojnë atë që mund të llogaritet diktaturë një partiake, mënyrën e Kremlinit për t’u përballur me armiqtë politikë, duke i dërguar ata në burg, si dhe vazhdimin e dominimit të KGB-së (emri i ri i së cilës tani është FSB).Gjëja tjetër shqetësuese, e cila menjëherë bie në sy, është sjellja e rrezikshme e Rusisë në Siri – përkrahja e saj për Bashar al-Assadin, ashtu si edhe pengimi i çfarëdo nisme kundër tij në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Sulmi vetëvrasës i së mërkurës, që shkaktoi vrasjen e ministrit sirian të Mbrojtjes, që njëherësh është dhëndër i Assadit, është përcjellë menjëherë me pretendimet sovjetike... më falni ruse... se “Perëndimi” disi po qëndronte prapa sulmit. Po ashtu, mu zyrtarët në Rusi i bënë shumë paralajmërime Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatëve të saj në Aleancën Veriatlantike dhe pothuajse të gjithë të tjerëve që po ndërhynin në trazira. Të mërkurën, pothuajse nëpër të gjitha mediet dhe rrjetet sociale është folur shumë rreth asaj nëse sulmi vetëvrasës paraqet një pikë kthese në dhunën në Siri. Unë për vete as që ia kam haberin dhe nuk ma merr mendja se ka ndokush që mund ta dijë një gjë të tillë. Mund të ndodhë që sulmi vetëm ta përforcojë vendosmërinë e diktaturës siriane, por njëjtë mund të ndodhë që ajo të zbutet. Natyrisht, nuk mendoj që dikush duhet ta përkrahë një sulm vetëvrasës, pa marrë parasysh se cilës anë i përket në konfliktin në Siri. Siria gjithnjë ka qenë pika kryesore e Kremlinit në Lindjen e Mesme, duke pasur një rëndësi për liderët politikë dhe ushtarakë rusë, rëndësi kjo e cila shkon përtej portit të vogël, të cilën Siria ua ka vënë në dispozicion anijeve ruse.
Aktualisht, Rusia është dashur ta shfrytëzonte ndikimin që ka tek regjimi i Assadit, për të dhënë kontributin e vet për një zgjidhje diplomatike. Në vend të kësaj, siç tha edhe ministri i Jashtëm, Gennady Gatilov, sulmi vetëvrasës e ka bërë edhe më të largët konsensusin në Këshillin e Sigurimit. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara tani pritet që të votojë nëse duhet të vazhdojë misioni i rreth treqind vëzhguesve, të cilët u dërguan në Siri, për ta mbikëqyrur planin paqësor, që parashihte, midis tjerash, armëpushimin, si dhe një tranzicion politik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera perëndimore duket se kanë gatishmëri të theksuar për të votuar në përkrahje të një rezolute në Këshillin e Sigurimit, e cila po ashtu do ta kërcënonte Assadin me sanksione, sanksione këto të cilat do të mund të zbatoheshin menjëherë. Megjithatë, Rusia nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›