E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha shpik beteja të fituara, por do humbasë luftën

Share

Nga Kreshnik Spahiu

Deja’ vu 2008 në Kuvendin e Shqipërisë paradoksalisht dhe tragjikisht u shfaq sërish. 127 vota konsensusale për të ndryshuar asgjë dhe për të zhytur Shqipërinë pas disa muajsh sërish në krizë. Berisha do të rendë të tregojë se është triumfator dhe nesër e për shumë vite të legjitimojë krimet e tij duke thënë se marrëveshjen dhe reformën e bëra me konsensusin e opozitës dhe ashtu si e donte Rama. Ai do të rendë drejt Brukselit të marrë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë si një mundësi që ti veshë një xhaketë të re Partisë Demokratike dhe të fillojë fushatën e tij politike për zgjedhjet e ardhshme.

Edi Rama do të nxitonte të deklaronte dhe premtonte, të përgjërohej dhe betohej se vota nuk do të vidhej në 2013 se ndryshimet në Kod e siguronin votën e shqiptarëve, por harroi të nënshkruajë një kontratë me publikun, elektoratin dhe partinë e tij se a do të qe ai i gatshëm të merrte përgjegjësinë politike, ligjore dhe morale nëse sërish vota e lirë vidhet ose deformohet. Ai premtoi mediatikisht se zgjedhjet do jenë të lira a thua sikur 1 vit më parë në bashkinë e Tiranës të mos kish ndodhur asgjë dhe nuk guxoi të lidhte kontratën politike me partinë e tij që çfarë do të ndodhë nëse sërish e ka dorëzuar pushtetin.

Berisha dhe Rama po kalojnë disa muaj mjalti në prag të kësaj martese të madhe të modelit grek të PASOK me Nea Demokracia, por ende nuk e kanë kuptuar se ata kanë groposur pjesërisht të ardhmen e tyre politike. Të dy përpiqen të shfrytëzojnë injorancën politike të kolegëve të tyre dhe nivelin e ulët të edukimit ligjor të publikut duke demonstruar se reforma është e plotë dhe i vetmi ndryshim është largimi i Arben Ristanit, por pa përmendur se atij i mbaronte mandati pas 5 muajsh, pra praktikisht ai ndryshohej edhe sipas ligjit aktual.

Berisha brenda pak javësh fitoi disa beteja me opozitën. Ai zgjodhi presidentin e Shqipërisë një nga drejtuesit e PD-së, ashtu siç kishte paralajmëruar, dhe pasi krijoj një debat 3 mujor farsë në të gjithë mediat e tija apo ato jo profesionale me lloj- lloj figurash, të cilat i rrahën me vaj dhe uthull e më pas i diskredituan në sytë e publikut, Berisha fitoi betejën me emërimet dhe zgjedhjet në Gjykatën Kushtetuese duke bllokuar dekretet dhe duke marrë shumicën e gjykatës në kontroll politik. Berisha e realizoi procesin e filtrimit dhe zgjedhjes në Gjykatën e Lartë në të njëjtën mënyra. Berisha paralizoi Presidentin e Republikës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në dekretimet e tij, në emërimin e ambasadorëve, në dhënien e faljeve, duke i lejuar hapësirë vetëm në dhënien e dekoratave. Berisha pas 5 vitesh konflikti dhe lufte me të gjitha institucionet e pavarura në shtator dhe nëntor do të fitojë betejën me SHISH dhe Prokurorinë e Përgjithshme duke i kthyer në seksione të PD-së. Berisha mundi të sigurojë edhe votat e socialistëve, të atyre që për një muaj ndenjën në grevë urie para zyrave të tij. Ata e votuan a thua sikur as në 2009 dhe as në 2011 të mos kishte ndodhur gjë.  Ambasadorët sërish duartrokitën aq shumë sa ishin të vetmit spektatorë të kësaj maskarade të radhës, që sërish konsiderohet betejë e fituar nga Berisha. Ambasadorët nuk bënë as më shumë dhe as më pak seç bënë 4 vjet më parë kur Berisha dhe Rama ndryshuan Kushtetutën. Ata duartrokitën 4 vjet më parë dhe më pas shfajësoheshin që ishte gabim i politikës shqiptare. Standardet, të drejtat e njeriut, niveli i demokracisë për shumë nga aktorët ndërkombëtar nuk kanë rëndësi, boll të ketë një marrëveshje PS- PD. Koha po zhvlerëson mitin e shumë diplomatëve, të cilët shiheshin si lektorë të demokracisë, ndërsa tashmë si rrogëtarë të radhës e ku fatkeqësisht shpresa tek ndikimi i fortë që mund të kishin duket gjithmonë e më larg.  Kodi u miratua pa ndryshuar asgjë. Në paketën ligjore nuk u ndryshua sistemi elektoral, as mekanizmi zgjedhor, as mënyra e votimit, as procedura e numërimit, as procesi i mbledhjes të të dhënave, as e drejta universale për votim të barabartë. Afro 2 milion shqiptarëve emigrantë që punojnë jashtë Shqipërisë nuk iu mundësua sërish e drejta për të votuar atje ku punojnë dhe jetojnë. Berisha dhe Rama i konsiderojnë të huaj në atdhe. Ata nuk denjuan as të debatonin apo diskutonin për mundësinë e votës së emigrantëve. Skifterët e tyre, që nuk iu intereson as vota e lirë dhe as kombi, shtiren sikur është e pamundur dhe nuk guxojnë ti thonë publikut pse jemi i vetmi shtet që ua mohojmë të drejtën e votës gjysmës së popullit. Shqiptarët e Kosovës votojnë në emigracion, kështu votojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë, kështu votojnë italianët, zviceranët, amerikanët madje- madje edhe irakianët, por vetëm ne shqiptarët jo. Ata tradhtuan sërish të drejtat kushtetuese dhe universale mes dhjetëra shteteve dhe kombeve të civilizuar. Ata tradhtuan se ky koncept dhe krim është shndërruar në fenomenin e braktisjes së interesave kombëtare dhe dhunimit politik të shtetit dhe shtetasve. E ku çdo shtetas që mban emrin dhe pasaportën kuq e zi me të drejtë pyet nëse është ky shteti që ne meritojmë.  Berisha fitoi sërish në betejë, por ende nuk e ka kuptuar se lufta ende nuk ka filluar. Atij do ti duhet të përballet me bilancin e një sërë tradhtish e ku fatmirësisht numri i viktimave është aq i madh sa ai nuk do mundet ta përballojë. Të tradhtosh një parim është një krim, të tradhtosh një popull është vetëvrasje. Fundi po afron dhe mjerë ata që i japin dorën dhe i shtyjnë ditët politike që i kanë mbetur.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›