E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusi-SHBA, një etapë e re marrdhëniesh mes dy supërfuqive

Gjatë vitit të parë në detyrë të presidentit Barak Obama, administrata e tij u përpoq t'u jepte një shtytje të re marrëdhënieve Amerikë-Rusi, të cilat u acaruan gjatë administratës së ish-presidentit George W. Bush. Por sipas shumë komentatorëve politik, marrëdhëniet mes dy superfuqieve ekonomike kanë filluar që të rigjenerohen me ardhjen e Obamës në krye të SHBA-së. Në korrik, presidenti Obama vizitoi Moskën dhe nënshkroi një marrëveshje paraprake për pakësimin e dy arsenaleve bërthamore më të mëdha të botës me një të tretën. "Ne kemi marrë masa të rëndësishme drejt sigurisë bërthamore si dhe për të ndalur përhapjen e armëve bërthamore. Kjo fillon me pakësimin e arsenaleve tona."- pati pohuar Obama pas takimit dy palësh. Ndërsa tani të dy vendet po punojnë për zëvendësimin e Traktatit për Pakësimin e Armëve Strategjike, i cili skadoi muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini thonë se marrëveshja mund të arrihet së shpejti. Rusia e ka mirëpritur vendimin e Presidentit Obama për anulimin e planeve për ndërtimin në Evropën Qendrore të një sistemi të debatueshëm për mbrojtjen nga raketat. Dhe duke u bërë një lëshim Shteteve të Bashkuara, Moska lejoi përdorimin e territorit të saj për të furnizuar trupat e NATO-s në Afganistan. Pjesa më e madhe e mosbesimit ka të bëjë me republikat ish-sovjetike. Administrata Obama nuk pranon pretendimet ruse për privilegje speciale në këto republika, ndërkohë që Kremlini kundërshton çdo shtrirje të NATO-s, që do të përfshinte Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›