Përmbytjet, QSUT: Mjekët të dhurojnë para për të prekurit
TIRANE-Drejtori i Qëndrës Spitalore Universitare në Tiranë, Ilir Dashi dhe Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Alfred Priftanji u bënë apel sot bluzave të bardha të dhurojnë ndihma financiare për të dëmtuarit nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Dashi dhe Priftanji u bënë thirrje sot gjatë një konference për shtyp në ambientet e QSUT, shefave te sherbimeve te QSUT që të hartojnë listat me emrat e punonjesve të pavijoneve të tyre që duan të ndihmojne financiarisht të demtuarit. “Këto lista do të vijnë në Drejtorinë e QSUT dhe pjesa që mjekët dhe infermierët do duan të japin në formë ndihme, do tu mbahet nga pagesa mujore”, tha Dashi. Burime nga zyra për shtyp e QSUT bënë të ditur se nuk ka tarifë fikse për këtë ndihmë, cdo sasi ndihme në këtë formë është lënë në dorë të mjekëve. Ndërkohë Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza” bëri të ditur po sot se për të përballuar çdo situatë emergjence shëndetësore nga gjendja e krijuar nga përmbytjet në Veri të vendit, është mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe, “Rregjimi i gatishmërisë”, njësoj si ditët e fundit të muajit dhjetor per shkak te gripit te derrit dhe incidenteve te mund te krijoheshin per shkak te festave. QSUT në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, është hartuar një plan masash për përballimin e çdo lloj emergjence të mundur, që mund të krijohet në zonat e përmbytura, për të dërguar atje personel mjekësor, në rast nevoje. Në varësi të situatave, personeli mjekësor që është në gjendje gatishmërie këto ditë, përbëhet nga mjekë të përgjithshëm, mjekë kirurgë, reanimatorë, mjekë infeksionistë, infermierë, etj. (d.b/BalkanWeb)