Rusia kundër stërvitjes së FSK-së nga NATO

Vendimin e NATO-s për formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe që kjo forcë të stërvitet nga KFOR-i, Moska e konsideron si të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, pasi sipas saj vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së mund të rregullojë organizimin e sistemeve në Kosovës, përfshirë këtu dhe sigurinë. N jë deklaratë e tillë është dhënë nga ambasadori rus në Beograd, Aleksander Konuzin. Në një intervistë dhënë për gazetën Danas, Konuzin ka shfaqur pritjet e tij që Këshilli i Sigurimit do të diskutojë për FSK-në në kuadër të raportit të ri të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën dhe ka paralajmëruar se Federata e Rusisë do të shprehet kundër kësaj force. Sipas Konuzinit, krijimi i FSK-së është në kundërshtim me Rezolutën 1244, ku mes të tjerash, saktësohen çështjet e pranisë së forcave ndërkombëtare të sigurisë dhe demilitarizimit të Kosovës si dhe përpjekjet për zbatimin e planit të Ahtisaarit i cili është hedhur poshtë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.