Rusia ndal gazin, mërdhin Evropën

Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka deklaruar se tetë vende kanë parë një reduktim të gazit, për shkak të rritjes së ndjeshme të kërkesës në Rusi.
Zëdhënësja ka nënvizuar se situata nuk përbën një emergjencë, por po monitorohet nga autoritetet përgjegjëse për energjinë në BE.
“Mund të konfirmoj se ka pasur një rënie të furnizimit me gaz në shtete të ndryshme anëtare si në Poloni, Sllovaki, Austri, Hungari, Bullgari, Rumani, Greqi dhe Itali.
Megjithatë, nuk është një situatë emergjente”, ka deklaruar zëdhënësja, Marlene Holzner.
Ndërsa korrespondentët e medieve ndërkombëtare deklarojnë se rënia e papritur e furnizimeve me gazin rus, që kalon përmes Ukrainës, po shkakton frikë për një përsëritje të krizës së vitit 2009, kur tendosjet mes Moskës dhe Kievit çuan në ndërprerjen e furnizimeve për një pjesë të Evropës për rreth 2 javë.