E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia po humb trenin e Lindjes se Mesme

Diplomacia ruse duket se as i ka kuptuar dhe as i ka pëlqyer kryengritjet popullore që përfshinë vendet arabe gjatë këtij viti. Ajo u rreshtua me autokratët dhe jo me protestat dhe me kërkesat për demokraci të popujve arabë, të cilët manifestuan një vitalitet dhe prirje për demokraci, që habiti kancelari dhe shtete në Europë, por sidomos në vendet ish-komuniste, ku letargjia përballë autokratëve është gjenetike. Nga qëndrimi kundërshtues ndaj forcave demokratike mund të thuhet se diplomacia ruse u gjet e papërgatitur nga ngjarjet e stuhishme të Tunizisë, Egjiptit dhe Libisë, ku kthesa shtetërore ruse apo ndërrimi i marshit diplomatik për t’u adaptuar me zhvillimet e reja strategjike qenë tepër të vonuara. Mirëpo mënyra se si po reagon Moska ndaj zhvillimeve të njëjta të protestave popullore në Siri, dëshmon se forma dhe stili që po aplikon diplomacia ruse është jo vetëm i njëjtë si ndaj zhvillimeve të mëparshme të protestave arabe, por, për më tepër ka marrë një lloj radikalizimi diplomatik, i cili të kujton diplomacinë sovjetike të kohës së Bashkimit të dikurshëm komunist Sovjetik.
Provë e këtij radikalizimi është diplomacia e kanonierave, që ka zgjedhur Kremlini të zbatojë në rastin e ngjarjeve në Siri, ku qëndrimi i ashpër i Rusisë u konkretizua me hapin e ri strategjik për të dërguar një flotilje prej tre luftanijesh të flotës ushtarako-detare ruse në ujërat e Sirisë më 22 nëntor. Dërgimi i një flotilje ushtarake në ujërat e Sirisë, pikërisht në kohën kur përplasja mes protestave popullore dhe regjimit të Bashar Al Asadit ka arritur kulmet e saj dhe kur vetë Liga Arabe e ka pezulluar Sirinë për shkak të represionit të përgjakshëm ndaj demonstruesve, do të thotë rastin më të pakët, një mbështetje e fortë për regjimin autokrat në Damask. E reja e zhvillimit të tanishëm qëndron në atë se është hera e parë që Rusia e shpreh mbështetjen e saj në planin ushtarak ndaj një regjimi arab të rrethuar nga protestat popullore, gjë që e përbën rastin e Sirisë një përjashtim në politikën arabe të Moskës.
Një shpjegim i kësaj lëvizjeje të diplomacisë së kanonierave është për të mbështetur dhe garantuar vazhdimësinë e regjimit sirian sepse Rusia ka interesa të posaçme në Siri. Siria është shteti i vetëm i rajonit të Mesdheut dhe të Lindjes së mesme, ku Rusia ka një bazë ushtarake në Tartus, ku është dislokuar një njësi ushtarake prej 50 oficerësh të marinës ruse. Sipas një marrëveshje të nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2008, faza e parë e zhvillimit dhe e modernizimit të plotë të bazës së Tartusit përfundon në vitin 2012.
Aq e interesuar është Rusia të mbajë në fuqi regjimin e Asadit, sa që ndërmori edhe një hap të pazakontë diplomatik për të, duke ftuar në Moskë kryetarin e Këshillit Kombëtar Sirian për bisedime më 15 nëntor me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, veprim që Moska nuk e kishte bërë me Këshillin Kombëtar Transitor të Libisë dhe as me forcat opozitare në Egjipt dhe në Tunizi. Qëllimi i këtij hapi diplomatik ishte që “të zgjidhej kriza siriane nëpërmjet bisedimeve”, duke ndërprerë protestuesit protestat dhe duke pranuar vazhdimin e regjimit të Asadit.
Dërgimi i luftanijeve ruse në detin Mesdhe dhe në ujërat e Sirisë duhet parë në dritën e zhvillimeve të reja të krizës siriane, ku gjithnjë e më tepër po forcohen mendimet dhe vlerësimet në bashkësinë ndërkombëtare se në Siri mund të shkohet drejt një ndërhyrje humanitare, për të shpëtuar civilët nga vrasjet dhe represioni. Rusia dërgon një flotilje ushtarake si një akt i forcimit të regjimit të Asadit në planin ushtarak dhe duke vendosur një prani të saj ushtarako-detare krijon një formë pengese apo një sinjal dekurajues për çdo alternativë ndërhyrjeje perëndimore në Siri. Rusia po kërkon ta përgatisë dhe të forcojë pozitat ushtarake të regjimit të Damaskut në rastin e një sulmi ushtarak atlantik. Në luftanijet ruse, që u dërguan në ujërat e Sirisë, ndodhen pajisje të sofistikuara interceptimi dhe monitorimi të hapësirës detare dhe ajrore të Mesdheut, me objektivin e kontrollit dhe pengimit të linjave të mundshme të furnizimit me armë të protestuesve nga jashtë. Janë dërguar edhe këshilltarë ushtarakë rusë për vendosjen e sistemit të raketave anti-anije dhe të raketave anti-ajrore S-300. Duke pasur parasysh se protestuesit për demokraci nuk kanë as luftanije e as avionë, kuptohet se përgatitjet bëhen për një situatë konflikti ushtarak të regjimit të Damaskut me Perëndimin. Nuk është e rastit që përveç dërgimit të luftanijeve, ka vazhduar furnizimi i regjimit të Asadit me armë të sofistikuara. Drejtori i Shërbimit Federal Rus të Bashkëpunimit ushtarako-teknik, Mihail Dmitrijev, deklaroi në fillim të nëntorit se Rusia po zbaton kontratën e furnizimit të Damaskut me raketa S-300. Mbështetja ushtarake e Rusisë për regjimin, ka shkaktuar reagime të forta në radhët e protestuesve për demokraci, të cilët në parullat e tyre kanë hedhur edhe kërkesat për ndërprerjen e furnizimeve ushtarake ruse për qeverinë.
Ringjallja në këto situata nga Moska e diplomacisë së kanonierave ka një objektiv strategjik për të demonstruar influencën dhe praninë e saj ushtarake në Siri, në Lindjen e Mesme dhe në detin Mesdhe. Vështirë të besohet se Moska mund të hyjë në konflikt ushtarak me Perëndimin apo me NATO-n për hatër të Sirisë, por Rusia tenton të shfaqet si faktor strategjik rajonal dhe global, duke ia bërë sa më të vështirë Perëndimit dhe NATO-s ndonjë operacion të mundshëm të ndihmës dhe të ndërhyrjes humanitare, si ai që NATO ndërmori në Libi.
Duke intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me regjimin e Sirisë, në kohën që në OKB po bëhen përçapje nga vendet arabe dhe nga vendet perëndimore për të miratuar një rezolutë, që dënon vrasjet e demonstruesve në Siri dhe marrjen e masave për mbrojtjen e civilëve, Rusia ndërmerr një sfidë të hapur diplomatike ndaj Perëndimit dhe ndaj Ligës Arabe, pas vetos që ajo vendosi në muajin tetor kundër sanksioneve ndaj regjimit të Asadit.
Rusia kërkon të demonstrojë se ajo është një fuqi globale, e cila duhet të merret në konsideratë dhe të ketë pjesën e saj në rregullimet strategjike dhe gjeostrategjike të rajonit të Lindjes së Mesme dhe të Mesdheut, pas përfundimit të ciklit të revolucioneve arabe. Revolucionet arabe të vitit 2011 kanë sjellë dhe po sjellin një raport të ri forcash dhe interesash në Lindjen e Mesme, në Afrikën e Veriut dhe në Mesdhe. Kjo rrymë e re përparimtare e historisë, e cila nuk mund të ndalet, është kapur në momentin e duhur nga Perëndimi, SHBA, BE dhe NATO, të cilët kanë koordinuar qëndrimet dhe veprimet e tyre me aspiratat e masave popullore dhjetëra milionëshe arabe, që po luftojnë për demokraci. Asistojmë në valën më të madhe historike dhe më masive të luftës për liri e demokraci, e cila po shfaqet edhe më cilësore, edhe më intensive, se procesi i çkolonizimit dhe i shpalljes së shteteve të pavarura të rajonit dhe të kontinentit. Qeveria dhe diplomacia ruse nuk po ecin me rrymën, dhe për më tepër, po ndërmarrin hapa kundërvënëse, si këto me Sirinë, të cilat vështirë se do të jenë në gjendje të ndalojnë përfundimin e zhvillimit, aty ku e dëshiron populli. Vështirë të mendohet se diplomacia ruse do të jetë në gjendje të afirmojë pozitën globale të shtetit të vet, duke iu bërë pengesë forcave, organizatave dhe shteteve demokratike, që duan të ndihmojnë popullin sirian, siç ndihmuan popujt e tjerë arabë, për largimin e autokratëve të mumifikuar nga pushteti.
Pozicioni i gabuar strategjik i Rusisë ka në pikënisje konceptin, që duke kundërshtuar Perëndimin, dhe jo duke bashkëpunuar me të, do të mundet të imponojë interesat e veta strategjike në Lindjen e Mesme dhe në rajone të ndryshme të globit. Kjo ishte logjika e veprimit të politikës globale të diplomacisë rusë gjatë Luftës së Ftohtë, kur Bashkimi Sovjetik ishte superfuqi. Por kjo logjikë nuk mund të aplikohet më në ditët e sotme, kur zgjimi demokratik po i çon edhe popujt e Lindjes së Mesme drejt Perëndimit, drejt vlerave demokratike dhe sistemeve politike të përparuara, që ofron Perëndimi. Rusia po e humb trenin e Lindjes së Mesme, në mos e ka humbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›