Kapet me drogë në makinë shqiptari i kërkuar që prej 2006-ës
Policia e Genovas në Itali ka vënë në pranga 34-vjeçarin shqiptar Bledar Ferhataj. I riu në fjalë u kap për drogë, por gjatë kontrollit rezultonte i arratisur që nga viti 2006, pasi i duhej të vuante 8 vite burg, pasi kishte kryer në bashkëpunim me disa të tjerë një grabitje e cila përfundoi edhe me dhunë seksuale. Ngjarja në fjalë ndodhi në Romë, në rrethinat e Valmontones, në vitin 2006. Ferhataj, pasi kishte hyrë në një banesë brenda së cilës ndodhej një grua, e rrahu pambarim së bashkë me grupin e hajdutëve dhe më në fund e përdhunuan. Mediet italiane shkruanin dje se i ndaluari në momentin e prangosjes udhëtonte së bashku me dy djem të tjerë, një shqiptar dhe një italian dhe iu gjet rreth 4 gram marijuanë e 1 gramë kokainë. Për këtë shkak tre të rinjtë u shoqëruan në polici, dhe më pas u lanë të lirën, ndërsa Ferhataj u dërgua në ambientet e paraburgimit në Chiavari.