E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusmali-Bumçi debat për pagesën e trojeve shtetërore

22/04/2010 Komisioni i Ligjeve miraton projektin për taksën vjetore

Shoqëritë tregtare përjashtohen nga blerja e trualli, sipas këtij ligjit

Mazhoranca në komisionin e Ligjeve është përfshirë sërish në debate gjatë diskutimit në vijim të projektit “Për taksën mbi të drejtën e përdorimit për truallin shtetëror”. Ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi ka kritikuar mënyrën e trajtimit nga ky ligj të individëve që kanë në përdorim troje të paprivatizuara, mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa mbi bazën e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave në periudhën e funksionimit të tyre. Ai kërkoi që kjo kategori të trajtohen sipas ligjit të legalizimeve. “Unë kam votuar para pak kohësh ligjin për legalizimet. S’më duket e drejtë që tani të votoj një ligj që lejon një pagë ndryshe për ata që kanë ndërtuar me leje. Nuk mund të zhgënjejmë votuesit, pasi humbim edhe besimin e tyre. Në këtë mënyrë, unë propozoj që individët e përcaktuar në pikën ‘c’ të nenit 2 të ligjit të trajtohen sipas ligjit të legalizimit”, tha ai gjatë diskutimit të nenit 18, që flet për lehtësirat për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit. Në këtë propozim, deputeti Bumçi u mbështet vetëm nga kolegu Viktor Gumi dhe jo nga pjesa tjetër, e cila rrëzoi amendamentin në fjalë. Kundërpërgjigjja i erdhi nga kryetari i komisionit, Ilir Rusmali, i cili nënvizoi se projekti në fjalë ka parasysh interesin e të gjithë shqiptarëve dhe jo të komshinjve tanë, siç u shpreh ai. “Në një shtet nuk mund të vendosim kurrsesi shenjën e barazisë mes kategorive të ndryshme të qytetarëve. Nuk mund të barazojmë mollën me kumbullën, është e pamundur”, tha Rusmali. Ndërsa zv/ministri i Financave, Alfred Rrushaj, hodhi poshtë pretendimet e deputetit Bumçi, duke sqaruar se “Qeveria ka trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë ata që kanë ndërtuar mbi truallin shtetëror”. Gjatë diskutimeve në komision u sqarua gjithashtu se shoqëritë tregtare, sipas këtij ligji kanë vetëm detyrimin për të paguar taksën vjetore të përdorimit të truallit, por jo për ta blerë atë. Sipas ligjit në fjalë, personat fizikë dhe juridikë, që kanë në përdorim trojet shtetërore të përfituara nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi të, do t’i paguajnë shtetit një taksë vjetore për të drejtën e këtij trualli ose do ta blejnë atë (vetëm individët). Niveli i taksës do të jetë në vlerën 10 % të vlerës së truallit në përdorim. Këtu përfshihen trojet e paprivatizuara: të ndërtesave të privatizuara sipas ligjit nr. 7512 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private”, (të shfuqizuar) sipas gentplaneve në momentin e privatizimit; të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7512; mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa mbi bazën e lejeve të ndërtimit të lëshuara nga komitetet pluraliste të këshillave në periudhën e funksionimit të tyre; dhe për trojet në përdorim të personave juridikë tregtarë në përputhje me parashikimet e vendosura nga ligji i veçantë. Nga zbatimi i ligjit përjashtohen trojet turistike, objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore të dhëna me qëllim investimi mbi to. Nga të ardhurat e privatizimit, 75 % i shkojnë buxhetit të shtetit dhe 25 % pushtetit vendor.

Zëvendësimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjithë individët që kanë një qira me shtetin për tokën që përdorin, rreth 13 mijë të tillë, do të paguajnë taksën vjetore prej 10 %. Numri dy i Ministrisë së Financave, Rrushaj, në përgjigje të shqetësimit të deputetëve sqaroi se në këtë rast nuk do të ndërhyhet në marrëdhënie juridike mes palëve. “Individët nuk do të paguajnë shumën e qirasë, e cila bëhet zero, por do të paguajnë taksë”, tha ai.

Pagesa me këste

Nëse subjekti që kërkon të privatizojë truallin shtetëror ndodhet përpara pamundësisë për të paguar menjëherë, ai mund të kërkojë lidhjen e një marrëveshjeje për pagesë me këste, kohëzgjatja e së cilës nuk mund të jetë më shumë se dy muaj. Parashikohet edhe falje e qirave të papaguara për truallin në përdorim nga individë që i nënshtrohen taksimit për të drejtën e përdorimit të truallit, por mosrespektimi i afateve rikthen detyrimin për pagesën e qirave të papaguara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›