E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rusmali thumbon Berishën: Jam krenar për Komisionin e Ligjeve. Amnistia u bë për fushatë

ilir-rusmajliKryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, shpjegon arsyen e prezencës së tij në seancën e djeshme parlamentare. ai lavdëron punën e Komisionit të Ligjeve, që ka mbetur jashtë listave për deputet të Partisë Demokratike.

Duke thumbuar indirekt Berishën, Rusmali shprehet për gazetën Panorama se: Sot Komisioni i Ligjeve ka mundësinë të jetë krenar dhe të jetë aktiv në debatin parlamentar, sepse sot merr jetë produkti i punës së vet. Është një gjë që duhet evidentuar, është një gjë që meriton mirënjohje. Shumica e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve nuk janë në listën e kandidatëve të partive respektive, dhe ky është një fakt që nuk mund të mohohet, por kjo nuk ua zbeh meritën dhe nuk i bën ata që të jenë kokulur. Krenarë për arritjen e sotme. Tri ligjet janë një ditë e mirë për shqiptarët, dhe ne jemi pjesë e kësaj dite të mirë.

Në një seancë të tillë është obligim madhor për çdo deputet që të jetë prezent dhe të ndikojë aktivisht në përfundimin me sukses të saj. Por unë sot kam një motiv më shumë për të qenë prezent e për të votuar, motiv që e ndaj me kënaqësi me të gjithë kolegët e mi, anëtarë të Komisionit të Ligjeve, sepse sot (dje) është dita e krenarisë së tyre. Komisioni i Ligjeve ka qenë i përfshirë ekskluzivisht në trajtimin e projektligjit për Gjykatën e Lartë dhe të projektligjit për nëpunësit civilë, në çdo hap të shqyrtimit parlamentar, sikurse ka pasur privilegjin që edhe në çështjen e Rregullores, e cila nuk është çështje e komisioneve parlamentare, të ketë qenë i përfaqësuar nga sekretari i Komisionit, Viktor Gumi. Është ai që i ka shkruar amendamentet e Rregullores. Kjo do të thotë se kontributi i Komisionit të Ligjeve në tri ligjet është vendimtar. Ne kemi negociuar, kemi debatuar, kemi gjetur kompromiset, ne i kemi miratuar ato. Jo sot, por prej shumë kohësh; jo lehtësisht, por me shumë vështirësi; jo me qëndrim arrogant dhe me intrasigjencë, por me shpirt vetëmohues kompromisi, vijon Rusmali.

Rusmali nënvizon se ligji për amnistinë ishte për fushatë.

Edhe ai, sikurse tre ligjet e integrimit kërkonte tre të pestat e votave, por atij opozita ishte e vendosur të mos ia jepte mbështetjen. Druaj se amnistinë të dyja palët e trajtuan në seancë si argument fushate dhe jo si nismë ligjvënëse, nënvizon Rusmali./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›