E Diel, 1 Nëntor 2026

Rustem Gjata: Kushtetuta nuk lë shteg, bojkoti 6 muaj të djeg mandatin

 Juristi i njohur Rustem Gjata shprehet për "Panorama" se mandatet e deputetëve shfuqizohen menjëherë, nëse ata nuk shkojnë gjashtë muaj rresht në Kuvend. "Kushtetuta shprehet mjaft qartë dhe nuk lë asnjë hapësirë për interpretime politike. Në dokumentin themelor të shtetit shqiptar shprehet qartë se kur deputeti nuk paraqitet për të bërë betimin dhe nuk shkon në Kuvend për një periudhë 6-mujore, atij i mbaron mandati. Se çdo të bëhet në praktikë, ky është një problem tjetër dhe unë këtë s'mund ta parashikoj", u shpreh Gjata. Sipas tij, këto dispozita janë kategorike dhe të panegociueshme. "Mosvajtja në Parlament për 6 muaj, të heq automatikisht mandatin që të ka dhënë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi deputeti është zgjedhur për të shkuar në Parlament. Kjo ka qenë fryma e Kushtetutës. Këto dispozita janë kategorike në Kushtetutë dhe s'mund të hyjnë në interpretime politike. Këto dispozita barazohen me dispozitën që sanksionon p.sh. që "nuk mund të zhvillohet referendum për kufijtë e atdheut". Kjo është e dhënë njëherë e mirë dhe e panegociueshme", tha Gjata. Juristi i njohur, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, tha dje se interpretimet e bëra nga kolegë të tij i sheh më shumë të ndikuara politikisht. "Interpretimet e bëra nga kolegët e mi të nderuar, se këto dispozita mund të veprojnë për individë dhe jo për një grup parlamentar deputetësh apo gjysma e deputetëve të Kuvendit, më shumë do t'i cilësoja me frymë politike sesa si interpretime të dispozitave kushtetuese. Nuk mund të flitet për individë të veçantë, flitet vetëm për deputetë", u shpreh Gjata. Për juristin e njohur, zëvendësimi i deputetëve me ata të listës së mëposhtme është një procedurë formale juridike, ndërsa nuk sheh ndonjë krizë në funksionimin e Parlamentit dhe pse në të mungojnë rreth gjysma e deputetëve të tij. "Sipas interpretimit tim, që të funksionojë Parlamenti mjafton një shumicë 70+1 dhe Parlamenti nuk mund të cilësohet i bllokuar apo në krizë, përveç rasteve kur Kushtetuta sanksionon rastet e votimit të cilësuar në Kuvend", u shpreh Rustem Gjata.                                      a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›