E Diel, 1 Nëntor 2026

Omari: Djegia e mandateve s’ka logjikë

 Aristir LumeziHeqja e mandatit të deputetëve dhe zëvendësimi i tyre me deputetë e listës nuk zgjidhet vetëm përmes kuadrit juridik. Kostitucionalistët e njohur, Luan Omari dhe Aurela Anastasi, sqarojnë për “Panorama” frymën me të cilën është hartuar Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Rregullorja e Parlamentit, sa i takon pavlefshmërisë dhe “djegies” së mandatit të deputetëve socialistë, nëse nuk bëjnë betimin në Kuvend. I pyetur se a mund të shfuqizohet mandati i deputetëve socialistë, që nuk kanë bërë betimin në Kuvend, konstitucionalisti i njohur Luan Omari tha se “do të jetë e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike, marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve, kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike”. Neni 164 i Kodit Zgjedhor, duke iu referuar nenit 71 të Kushtetutës, thotë se “nuk përbëjnë shkaqe për ndërprerjen e mandatit, marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati”. I pyetur, bazuar dhe në kërkesën e lartpërmendur të Kodit Zgjedhor, nëse deputeti duhet të deklarojë publikisht para Komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati, kostitucionalisti Omari tha se “deri sot, asnjë nga deputetët socialistë dhe as grupi i tyre parlamentar nuk kanë bërë ndonjë deklaratë se ata refuzojnë të bëjnë betimin dhe as se heqin dorë nga mandati”. Kostitucionalistja Aurela Anastasi e cilëson të pamjaftueshëm argumentimin juridik të këtij rasti specifik, siç është mosbërja e betimit nga i gjithë grupi i deputetëve socialistë. “Mendoj se në rastin konkret, zbatimi i nenit 71 të Kushtetutës nuk do ta zgjidhte krizën e përfaqësimit në Kuvend, pasi zgjidhja juridike do të ishte e pamjaftueshme. Kjo për faktin, se deputetët e opozitës sillen si një grup parlamentar, pavarësisht se nuk janë organizuar si të tillë dhe as nuk kanë propozuar një kryetar të grupit të tyre (do të ishte mirë ta kishin bërë edhe pse jashtë Kuvendit)”, u shpreh Anastasi. Juristja e njohur apelon arritjen e një dialogu për të kaluar këtë moment krize parlamentare dhe politike. “Kuvendi mund të shkonte drejt një krize më të gjatë e më të thellë përfaqësimi, pasi do të mbetej i paplotësuar me numrin përkatës të deputetëve (140 deputetë). Ky sistem zgjedhor nuk parashikon as zgjedhje të pjesshme, prandaj Kuvendi do të mbetej i paaftë për të shprehur fuqinë e tij përfaqësuese. Prandaj, për të zgjidhur këtë krizë është e nevojshme që të dyja forcat politike të dialogojnë, përpara se të ketë arritur data 7 mars, plot 6 muaj nga data e mbledhjes së parë të Kuvendit”, u shpreh Anastasi. Duke e parë pa një zgjidhje finale procedurën e zëvendësimit nga ana e KQZ-së, të listës së deputetëve socialistë me ata të listës së mëposhtme të kësaj partie, Anastasi tha se kjo mund të arrihej vetëm nëse do kishim të bënim me deputetë të veçantë dhe jo të të gjithë grupit. “Nëse Kuvendi do të vendoste mbarimin e mandatit të anëtarëve të opozitës një e nga një, atëherë do të vazhdonte procedura e parashikuar në Kodin Zgjedhor për zëvendësimin e mandateve të ndërprera. Ata mund të zëvendësoheshin vetëm nga kandidatët e listës të së njëjtës parti politike, ose të partive të të njëjtit koalicion zgjedhor. Pra, këto mandate gjithmonë, janë mandate të opozitës. Në këto kushte, mund të lindte problemi i refuzimit të mandatit të ri prej kandidatëve që presin në listë, ose i mosparaqitjes së tyre në Kuvend. Kështu, Kuvendi mund të shkonte drejt një krize më të gjatë e më të thellë përfaqësimi, pasi do të mbetej i paplotësuar me numrin përkatës të deputetëve (140 deputetë)”, u shpreh Anastasi. I pyetur nëse vendimi politik i bojkotit, i marrë nga grupi i deputetëve socialistë, përbën një “mungesë me arsye” për një periudhë 6-mujore, kostitucionalisti Omari tha se në Shqipëri ka pasur dhe precedentë të tillë bojkoti të Kuvendit pas një vendimmarrje politike. Ndërkohë që maxhoranca dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mënyrë të përsëritur është shprehur se do të zbatojë Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e Kuvendit, duke i kërkuar KQZ-së zëvendësimin e deputetëve socialistë, pas mosparaqitjes dhe mos bërjes së betimit në Kuvend për një periudhë 6-mujore. Ndërkohë që opozita dhe kryetari i saj, Edi Rama, është shprehur se mandatet e deputetëve nuk mund të “digjen” dhe skadojnë, pasi ato janë mandate të marra nga populli dhe jo të dhuruara nga Berisha dhe Topalli.  Aurela Anastasi“Kuvendi mund të shkonte drejt një krize më të gjatë e më të thellë përfaqësimi, pasi do të mbetej i paplotësuar me numrin përkatës të deputetëve (140 deputetë). Ky sistem zgjedhor nuk parashikon as zgjedhje të pjesshme, prandaj Kuvendi do të mbetej i paaftë për të shprehur fuqinë e tij përfaqësuese. Prandaj, për të zgjidhur këtë krizë është e nevojshme që të dyja forcat politike të dialogojnë, përpara se të ketë arritur data 7 mars, plot 6 muaj nga data e mbledhjes së parë të Kuvendit”.Luan Omari“Asnjë nga deputetët socialistë dhe as grupi i tyre parlamentar nuk kanë bërë ndonjë deklaratë se ata refuzojnë të bëjnë betimin dhe as se heqin dorë nga mandati. Do të jetë e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve, kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. Një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike”.Subashi: Heqja e mandatit, për individëAnëtarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, duke hedhur dritë mbi dispozitat ligjore që rregullojnë ndërprerjen e mandatit të deputetëve, kur ata nuk bëjnë betimin, shprehet për “Panorama” se ligji ka pasur parasysh ndërprerje të një mandati dhe jo një grupi deputetësh, si në rastin e deputetëve socialistë. “Nga përmbajtja e kësaj dispozite, janë të qarta rastet dhe procedurat që duhen ndjekur për këtë vendimmarrje. Gjithsesi, të tërheq vëmendjen fakti që si dispozitat Kushtetuese, ashtu edhe dispozitat e Kodit Zgjedhor që bëjnë fjalë për ndërprerje të mandatit të deputetit, gjithnjë bëjnë fjalë për deputetë të veçantë dhe jo për një grup deputetësh”, u shpreh Subashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›