Beja: Si digjen mandatet e PS
BLEDAR HOTIKatër marsi është mundësia e fundit që grupi i 64 deputetëve të Partisë Socialiste të futet në Kuvend. Kështu deklaron deputeti i PD-së, Fatos Beja, i cili është edhe një prej hartuesve të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, në rast se socialistët nuk paraqitën në datën 4 mars do të veprohet sipas neneve të Kushtetutës, 70-71 dhe nenit 164 të Kodit Zgjedhor, duke i zëvendësuar me kandidatet e pasardhës në listën shumëemërore që Partia Socialiste ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. "KQZ merr vendim për dhënie të mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit, si dhe botohet në fletoren zyrtare" tha kryetari i Komisionit Parlamentar të Jashtëm, Beja. Sipas tij, Kodi Zgjedhor në nenin 164 përcakton qartë se ndryshe nga deputeti që është mandatuar fillimisht, ai që e zëvendëson atë nuk ka më 6 muaj por vetëm 30 ditë kohë për të pranuar mandatin. "Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi pa shkaqe të përligjura, mandati i takon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës të parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike. Pastaj vijon pika tjetër me partitë e tjera. Kur një parti nuk dëshiron të shkojë vazhdon përsëri Kodi sepse do të mbrojë funksionimin e Kuvendit", deklaroi Beja. Për kryekomisionerin, mandati i deputetit humbet kur nuk bën betimin dhe pse nuk përcaktohet qartë koha e saj. "Në Kushtetutë nuk ka të shprehur një afat të përcaktuar, por shprehet në parim që humbet vlera e mandatit nëse nuk bën betimin. Ka një nen të veçantë më pas, i cili shprehet se nuk mund ta ushtrosh mandatin po nuk ke bërë betimin dhe kjo është e përcaktuar fare qartë. Ne jemi në një situatë të tillë. Meqenëse aty nuk është e përcaktuar me një 'afat të përcaktuar' mbyllet hapësira e mundshme me pikën tjetër të këtij neni që thotë 'pas 6 muajsh'", tha Beja. Për kryekomisionerin Beja, ankimimi në Gjykatën Kushtetuese nuk përbën pengesë për ndjekjen e procedurës ligjore të zëvendësimit të mandateve të deputetëve, në rast se asnjë prej 64 deputetëve nuk bën betimin deri më datën 4 mars të këtij viti. "Procedura mund të vazhdojë normalisht, animimi në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të përbëjë asnjë pengesë që KQZ-ja të vazhdojë procedurën e zëvendësimit të deputetëve", theksoi Beja. Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi dy ditë më parë ndërprerjen e mandatit të deputetëve të PS-së pas 4 marsit. Por ai shtoi se zëvendësuesit do të priten gjashtë muaj, megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon 30 ditë. "Ne do të presim deri në seancën e fundit, që është më 4 mars, dhe më pas deputetët do të zëvendësohen sipas Kodit Zgjedhor. Më pas do të presim sërish edhe gjashtë muaj të tjerë për listën e dytë të deputetëve", deklaroi Kryeministri. Kryetarja e Kuvendit, Topalli, në një letër dërguar disa ditë më parë për 64 deputetët socialistë, i vinte në dijeni se ata kanë tetë seanca parlamentare për të bërë betimin dhe për të mos humbur mandatin e fituar nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009.