Leskaj: Për bojkotin vendosin deputetët jo Asambleja e PS
Ilir Kadia/BBCKryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, shprehet në një intervistë për BBC shqip se është grupi i deputetëve që duhet të shprehet për bojkotin dhe jo mbledhja e Asamblesë. Leskaj shprehet se bojkoti i këtyre 5 muajve duhet të konsiderohet efikas, në një Shqipëri ku funksionon një shoqëri parademokratike, pasi në një vend me standarde demokratike, maxhoranca do të kishte reaguar ndaj tij.Zonja Leskaj, ju personalisht i trembeni djegies së mandatit nga mospjesëmarrja tej afatit ligjor në Kuvend? Më shumë sesa çështja e mandateve personale, unë këtë çështje e shoh përtej mandatit individual të një deputeti. Ajo që është themelore në këtë situatë është çështja e shkaqeve, përse ne jemi këtu e cila ka të bëjë me probleme të rënda të demokracisë në Shqipëri. Ka të bëjë me probleme të rënda të demokracisë, që fillojnë me çështje të votës nga ka nisur dhe protesta jonë, e cila do të vazhdojë padyshim dhe nuk ka asnjë tërheqje prapa, por lidhet dhe me elementë të tjerë që i janë shtuar rrugës, probleme që kanë të bëjnë me situatën ekonomike, probleme që kanë të bëjnë me korrupsionin, me lirinë. Duhet të kujtoj dhe njëherë raportin e fundit të Freedom House dhe është shumë e rëndësishme kur një institucion prestigjioz ndërkombëtar, që mbështetet në disa indikatorë dhe në disa raporte, arrin në një konkluzion të tillë për sa i përket lirive në Shqipëri. çështja e lirive është shumë e mprehtë dhe jo vetëm është e mprehtë, por përfshin disa elementë të lirive duke filluar nga liritë ekonomike, liritë e biznesit dhe shumë elementë të tjerë, si liritë e njeriut, të cilat vijnë të cenuara dhe të kërcënuara. Padyshim u shtua dhe përmbytja, e cila nuk është një përmbytje nga zoti. Ne nuk do ta heqim asnjëherë vëmendjen nga çështje të tilla siç është ajo e Gërdecit, apo e tunelit që ka zënë nën vete jo vetëm një tunel, por ekonominë shqiptare. Sipas jush, bojkoti ka qenë efikas nga ana e PS? Unë besoj që po, por kjo duhet gjykuar në dy anë, sepse po të kishte ndodhur në një vend demokratik do ishte më efikas për shkak të reagimit nga maxhoranca. Në Shqipëri kemi rrethana të tjera, sepse është një shoqëri parademokratike pa këtë mungesën e reagimit të maxhorancës, e cila e ka humbur ndjeshmërinë ndaj reagimeve të tilla. Padyshim bojkoti ne nuk na gëzon, nuk është një zgjedhja jonë, ne kemi qenë të detyruar të bëjmë këtë zgjedhje të padëshirueshme. Nëqoftëse ju nuk do të vazhdoni të shkoni në Parlamentin e Shqipërisë, një grup deputetësh brenda PS-së, pesë deri tani, kanë vendosur të shkojnë në fillim të marsit atje. Cili është qëndrimi që do mbahet nga pjesa tjetër e grupit parlamentar të PS-së? Mua më vjen keq që pothuajse një pjesë e mirë e medias shqiptare, por më vjen keq që dhe ju të BBC-së, më shumë sesa me çdo gjë tjetër, janë marrë ose merreni me mandatet e 5 apo dhe 65 deputetëve se çfarë do bëhet. Këtu po flitet për gjëra më të mëdha, për fatet e Shqipërisë, për çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me liritë, me ekonominë e vendit, me korrupsionin dhe padyshim çështja e mandateve të 5 apo 65 deputetëve, për mua vjen e fundit. Por gjithsesi është një zhvillim politik brenda opozitës shqiptare që nuk mund të lihet pa u zhvilluar, apo jo? Unë besoj që edhe ky rast është një nga rastet që dëshmon diferencën mes nesh dhe maxhorancës, që do të thotë që brenda PS-së gjithmonë ka edhe zhvillime edhe kundërshti edhe mendime të ndryshme dhe besoj që kjo provon epërsinë e PS-së në spektrin politik shqiptar. Ju keni shprehur se do të ketë një asamble tjetër, enkas për të mbajtur qëndrim se çfarë do të bëhet me bojkotin? Në fakt unë nuk jam shprehur që do të ketë një qëndrim në asamble për qëndrimin ndaj bojkotit, sepse kjo është dhe çështja e vendimit të grupit parlamentar, por nuk e besoj se ka ndryshuar ndonjë gjë në rrethanat politike, nuk ka ndonjë reflektim apo reagim nga ana e maxhorancës, e cila në njëfarë mënyrë do diktonte një vendimmarrje të re. Gjithsesi kjo është çështje e grupit parlamentar, më shumë sesa e Asamblesë.