E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat, opozita mbledh brenda javës tryezën e kryetarëve

 Kryetari socialist Edi Rama do të mbledhë brenda kësaj jave tryezën e kryetarëve të partive opozitare. Në qendër të saj do të jetë miratimi i axhendës së protestave, që opozita ka paralajmëruar në fillim të këtij viti. Këto do të jenë protestat e para që opozita do të zhvillojë për këtë vit, ndërsa slogani i ri i saj do të jetë "Hap kutitë ose zgjedhje të parakohshme". Takimi që pritet të mbahet këtë javë do të jetë i dyti, pasi 10 ditë më parë, krerët e partive opozitare nuk mundën të diskutonin konkretisht për mënyrën se si do të veprojnë në të ardhmen, në kërkesën e tyre të qëndrueshme për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ende nuk dihen detajet e organizimit të turit të ri të protestave opozitare, pasi ai do të jetë një projekt që do të diskutohet në tryezën e kryetarëve të partive, të majta dhe të djathta në opozitë. Por pritet që protesta të zhvillohen në të gjitha bashkitë kryesore, ku përveç kutive të votimit dhe zgjedhjeve të parakohshme, opozitarët do të kenë dhe një argument më shumë në betejën e tyre politike, përmbytjet në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku ata akuzojnë për paaftësi dhe korrupsion Qeverinë. Përmbytjet në veri të vendit shtyjnë axhendën e protestave të opozitës për hapjen e kutive. Kryetari socialist Edi Rama mblodhi 10 ditë më parë kryetarët e partive opozitare të majta dhe të djathta. Ndërkohë dhe pse pritej të miratohej axhenda e protestave, opozitarët u fokusuan te përmbytjet dhe rreziku i një katastrofe, duke bërë që ata të tërhiqen përkohësisht nga axhenda e tyre. Ata janë shprehur pas këtij takimi se protestat do të nisin sapo situata në qytetet e prekura nga përmbytjet të normalizohet. Madje, sipas tyre, përmbytjet që janë cilësuar si keq menaxhim, janë një arsye më shumë për të vazhduar protestat. Aksioni i tyre politik në ditët e para të këtij viti u përqendrua te përmbytjet në Shkodër, ku ata u angazhuan në ngritjen e një shtabi të emergjencës, ku mblodhën dhe shpërndanë ndihma te të përmbyturit, ndërsa deputetë socialistë kanë qenë gjatë gjithë periudhës së emergjencës pranë banorëve në fshatrat e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›