E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Hyj në Kuvend për të bërë opozitë, jo për rrogën

 Deputeti socialist Ben Blushi tha dje në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut se do të hyjë në kuvend javën e parë të marsit jo për të marrë rrogën e deputetit por për të bërë opozitë. "PS ka detyrim ta shkelë pragun e parlamentit dhe të bëjë betimin. Do ishte qesharake të hysh në parlament dhe të dalësh përsëri në rrugë për të bërë bojkot. Në këtë rast unë do të thoja se po hyn në parlament për të marrë rrogën. Ne duhet të hyjmë në parlament për të bërë opozitë. Unë do të shkoj në parlament në emër të lirisë dhe jo karrierës për të bërë opozitë. Nëse do të kisha preferuar karrierën, do t'i isha ngjitur Edi Ramës nga prapa", u shpreh Blushi. Deputeti socialist tha dje se në PS ka një shumicë deputetësh që ndan të njëjtin mendim me të, por që sot është e heshtur. "Do të doja dhe do kisha dëshirën që në Parlament të hynim të gjithë deputetët bashkë. Nëse grupi i deputetëve i nënshtrohet Edi Ramës unë do të hyj në Kuvend. Ka brenda elitës së PS një shumicë të heshtur që bashkohet me mua në këtë pikë. Sot kjo shumicë është e heshtur, ndërsa nesër ajo nuk do të heshtë", u shpreh Blushi. Deputeti socialist, një nga kritikët më të ashpër të Edi Ramës që pas humbjes së zgjedhjeve, të cilit i kërkoi të marrë përsipër përgjegjësitë e rezultatit zgjedhor, tregoi dhe diferencat mes tij dhe kreut socialist. "Unë ndahem me Edi Ramën sepse them ta marrim pushtetin me rrugë demokratike dhe me votë, ndërsa Edi Rama thotë të dalim në rrugë dhe të rrëzojmë qeverinë. Qeveria rrëzohet vetëm në rrugë parlamentare", u shpreh Blushi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›