E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rutinë tragjike

Nëse doktori fillon t’ju pyesë nga se ju vuajnë prindërit ose njerëz të tjerë me lidhje gjaku, dijeni se ai ka pikasur në trupin tuaj shenjat e një sëmundjeje të trashëgueshme.
Vëmendja e doktorit për historinë familjare meriton vëmendje. Jo vetëm ngaqë skema e shërimit është e gatshme – përafërsisht ilaçet që ka marrë paraardhësi – por, edhe pse, përjashto të sëmurin, sëmundja nuk terrorizon askënd. Historia e vë nën kontroll logjikën.
Trazirat e vitit 1997 ishin veç një sëmundje e trashëguar në familje, me ndonjë ndryshim të vogël, të imponuar prej evolucionit në lëmin e armatimeve.
Lufta civile në mesin e shekullit XX ishte njëri nga rastet e sëmundjes në familje, rasti i dytë ishte lëvizja fanoliste, qershor 1924, rasti tjetër, në vitin 1914.
Lëvizja e Haxhi Qamilit dhe trazirat e vitit 1997 ngjajnë si dy pika uji. Nga shumë mendje analitike, për të dyja ngjarjet janë arritur përfundime thuajse të njëjta, por pa u vënë përkrah njëra-tjetrës për t’u krahasuar.
Pas lëvizjes së Haxhi Qamilit fshihej Esat Toptani, një njeri i etur për pushtet personal, i cili nuk u afrua as nga qeveria e Vlorës, as nga qeveria e princ Vidit.
Pas trazirave të vitit 1997, ishin forcat ish-komuniste të mënjanuara nga pushteti, më 22 mars 1992. Zgjedhjet e diskutuara të 26 majit 1996, apo “diktatura” e Berishës, si shkaqe të revoltës, ishin thjesht justifikim propagandistik.
Në thelb të të dyja lëvizjeve ishte vetëm etja për pushtet.
Haxhi Qamili përfundoi në litar dhe nuk iu la mundësi të shikohej se çfarë do të bënte, po të merrte pushtet.
Esat Toptani i shpëtoi këtij fati, përkohësisht. Pasi iu njoh bashkëfajësia në trazira, ai u betua, me shkrim, se nuk do të shkelte më në Shqipëri dhe, me ndërhyrjen e Italisë, u largua. Nuk e mbajti premtimin, por veprimtaria e tij edhe pas kthimit nga jashtë ishte veç një përpjekje këmbëngulëse për të joshur plumbin, me të cilin, më në fund, u takua, në Paris, më 1920.
Nipërit politikë të Haxhi Qamilit dhe Esat Toptanit ishin më me fat. Jo se nuk i shpalli kush fajtorë për lëvizjen e tyre politike kriminale, po ata erdhën në qeveri, vetëm për të bërë batërdinë me pasurinë fizike dhe financiare të qytetarëve. Sot, ata nuk janë më në pushtet, por nuk reagojnë më me egërsinë e ’97, sepse ndihen si derrat e mbingopur. Në ndryshim nga kafsha llupëse, ata e kanë aq inteligjencë, sa ta kuptojnë se po guxuan edhe njëherë, nga tronditjet mund t’iu merren mendtë dhe mund t’i vjellin të gjitha.
Organizatorët e lëvizjes së Haxhi Qamilit, në vitin 1928, Mid’hat Frashëri i përkufizoi si ata “që inauguruan bolshevizmën në Shqipëri, me djegie, plaçkitje e rrënime, tre vjet më parë se sa të buçasë bolshevizma në Rusi.”
Nipërit e kësaj lëvizjeje, më 1997, e përdorën edhe njëherë tjetër rrugën bolshevike të marrjes së pushtetit.
Në të dyja rastet, veç shkaqeve të brendshme, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe faktorët e jashtëm, sidomos fqinjët. Grekëve, serbëve, malazezëve dhe maqedonasve nuk iu ka interesuar kurrë një Shqipëri e fortë. Një Shqipëri me probleme të brendshme nuk do të ishte në gjendje të kërkonte territoret që ato i grabitën me ndihmën e Fuqive të Mëdha, më 1913.
Dhe nuk iu ka ecuar keq. Në njëfarë mënyre, ato kanë ditur të kenë influencë në të gjitha qeveritë shqiptare pa përjashtim, për fatin e thjeshtë se qeveritë shqiptare, në shumicën e tyre – përjashto qeveritë e fillimit, ndoshta, të cilat krijoheshin në kushte të vështira – nuk kanë patur legjitimitet të brendshëm. Demokracia jonë, edhe kur e kemi patur, ka qenë e mangët, një nga gjërat më të diskutueshme të saj ka qenë vota.
Gjatë izolimit komunist të Shqipërisë, fqinjët tanë kishin dorë të lirë me shqiptarët në vendet e tyre dhe nuk ia përtuan, bënë ç’iu deshi qejfi. Greqia thuajse i zhduku. Çamëria është gjenocidi më i madh në Evropë në gjysmën e dytë të shekullit të 20, pas Holokaustit. Edhe fqinjët e tjerë, ku më shumë e ku më pak, synuan dhe, ku iu eci, bënë të njëjtën gjë. Me hapjen e Shqipërisë më 1991, u ngjallën frikërat e vjetëra, grekëve dhe serbëve sidomos iu interesonte një Shqipëri me probleme të brendshme. Më 1914, ata financuan Esat Toptanin, më 1997 financuan apo ndihmuan me mënyra të ndryshme pasardhësit e tij politikë dhe të bolshevikëve.
Tani, po i rendis më të përmbledhura arsyet e trazirave të vitit 1997.
1 – Duke qenë në fillim të jetës politike, edhe kuptimi i tyre mbi demokracinë ishte padyshim me të meta dhe i pafuqishëm.
2 – Zilia dhe egoizmi janë dy sëmundje të mëdha, të dëmshme dhe të rrezikshme të racës sonë, dy sëmundje që burojnë, ngaqë nuk kemi patur jetë demokratike, ngaqë ende s’kemi filluar të gjykojmë bukur dhe t’i kuptojmë idetë politike dhe patriotike, ngaqë nuk kemi një gjykim të shëndoshë dhe të vërtetë për interesat tona, interesat lëndore dhe morale. Kjo zili dhe ky egoizëm na shtyn të themi: pse të jetë ai e pse të mos jem unë... Këto sëmundje na bëjnë shumë herë të themi: po të mos jetë aksekush i madh, më mirë të mos ketë fare Shqipëri!
3 – Mosbesimi te vetja jonë dhe marrja me lehtësi dhe pa shpresë e punës së mëmëdheut.
4 – Nuk iu dha luftës kundër komunizmit gjithë rëndësia e duhur; demokratët e vërtetë kujtuan, në entuziazmin e tyre, se puna mbaroi, se çdo rrezik u spraps. Harruan se çdo fillim ka vështirësitë e tij, harruan se çdo foshnje që lindet, do qindra kujdesje. Nga këto shkaqe morën fuqi armiqtë e jashtëm, gjetën dhe kurajë e ushqim te armiqtë e brendshëm, Skënder Gjinushi me shokë.
5 – Nuk u bë therori për mbrojtjen e demokracisë. Populli nuk di akoma, se jeta e tij varet nga jeta e demokracisë, harron se me humbjen e demokracisë humbet edhe jeta tij.
Tani po zbuloj një sekret. Pesë pikat e mësipërme nuk janë të miat, por të Mid’hat Frashërit1, kur shpjegon shkaqet e trazirave që çuan në ikjen e princ Vidit, më 1914. Unë kam futur fjalën “demokraci”, togfjalëshin “lufta kundër komunizmit”, Esat Toptanin e kam zëvendësuar me Skënder Gjinushin, kam përdorur kryesisht gjuhën letrare, por në vijën e arsyetimit dhe argumentimit nuk kam ndryshuar asgjë, për t’iua përshtatur konkluzionet e Mid’hatit trazirave të vitit 1997.
Siç shihet, kur ngjarjet rivihen në skenë, aktorët luajnë të njëjtat situata, spektatorët shikojnë të njëjtat skena dhe përballen, në mënyrë identike, me po ato shqetësime që kishin gjyshërit e tyre.
Rutinë tragjike. Për shkak të mosnjohjes së historisë, 83 vite përpjekje, energji, ëndrra dhe aspirata kombëtare na kanë privuar në mënyrë sistematike nga suksesi.

1 - Tekstin origjinal të pesë pikave mund ta lexoni te “Fatkeqësi dhe mësim”, Lumo Skëndo, “Dielli”, 1915, ose te libri “Gjeniu i Kombit”, Uran Butka, faqe 94

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›