Meta: Urimi për 8 Marsin, të gjithë shqiptarëve dhe Edi Ramës
• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i është përgjigjur ftesave të bëra nga përfaqësues të selisë rozë për rikthim në koalicionin e PS-së, me një urim drejtuar kryesocialistit Edi Rama.“Ndërsa për problemet e këtyre ftesave që vijnë nga ana e përfaqësuesve të lidershipit të Partisë Socialiste, unë mendoj se dita e sotme nuk na lejon që të merremi me politika të tilla, por është një ditë ku urimi për 8 Marsin i shkon të gjithë shqiptarëve, sikurse i shkon edhe Kryetarit të Partisë Socialiste. Këtë deklaratë, kryetari i LSI, Ilir Meta, e bëri nga qyteti i Durrësit, ku festoi me gratë e kësaj dege të LSI-së 8 Marsin. Gjatë këtij takimi, Meta tha se “për fat të keq femra shqiptare është pjesa më e sakrifikuar e shoqërisë tonë, sepse mbart pjesën kryesore të problemeve familjare, atë ekonomike dhe sociale, por njëkohësisht vuan shumë edhe atë pabarazi që ende ekziston në shoqërinë tonë”. Më pas kreu i LSI shtoi se, “nuk mund të ketë një Shqipëri evropiane pa një raport të ri, pa një balancë gjinore kudo, pa një respekt të veçantë për femrën shqiptare jo vetëm me fjalë, por në radhë të parë të ketë dhënie të mundësive të barabarta për t’u shprehur. 8 Marsi është një ditë ku të gjithë duhet të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të emancipuar, për të ndërtuar vërtet një shoqëri solidare, një shoqëri pa diskriminim gjinor, një shoqëri vërtet evropiane”.