Berisha: Kuvendi, 30% më shumë gra
• Maxhoranca shprehet e vendosur që të rrisë kuotën e grave të përfaqësimit në Parlament deri në masën 30%.BLEDAR HOTIKy ka qenë premtimi i mbajtur dje nga dy zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, të cilët njihen si përfaqësues të së djathtës politike. Presidenti Bamir Topi në diskutimin e tij, në takimin e mbajtur për ditën ndërkombëtare të gruas, deklaroi se prania e gruas në Parlament është më e ulët se në vitin 1996. “Gruaja shqiptare, në ndryshim nga burri, e ka akoma të vështirë të punësohet, qoftë në sipërmarrjet private, qoftë në ato publike apo të rrisë përfaqësimin në politikë. Personalisht mbështes dhe do të jem konstant në nxitjen e institucioneve tona për të respektuar normat e familjes evropiane, pjesë e së cilës dëshirojmë të jemi sa më shpejt, norma që barazinë ndërmjet grave dhe burrave e shohin si një kusht të domosdoshëm për të arritur objektivat e rritjes, të punësimit, të bashkëjetesës shoqërore dhe pjesëmarrjes së grave në mënyrë të qenësishme në politikë”, deklaroi Presidenti. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha, duke fajësuar veten për praninë e pakët të grave në qeverisjen e tij, në nivel ministror, theksoi se “duhet të zgjerohet aksesi i grave në vendimmarrjen politike”. Kryeministri theksoi se në reformën elektorale përfaqësimi i duhur i gruas në vendimmarrje do të jetë një nga çështjet kryesore.”Unë jam shumë i vendosur dhe e konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishme përcaktimin e një kuote përfaqësimi për gratë jo më pak se 30% në parlament dhe në qeveri dhe kam kënaqësinë të theksoj se po në këtë pozicion qëndron edhe opozita shqiptare”, u shpreh Kryeministri.Hapja e ParlamentitKryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e organizoi ditën e gruas duke hapur dyert për të gjitha gratë e Shqipërisë. Një takim të veçantë Topalli realizoi me gra të profesioneve të ndryshme, politikane, biznesmene, juriste, artiste, shkrimtare, pedagoge, mjeke, por edhe nëna e gra të thjeshta, që iu përgjigjën ftesës së saj për të ardhur në mjediset e Kuvendit, i cili hapi dyert për të treguar se çdo grua që dëshiron të bëjë karrierë, mund të jetë një vendimmarrëse. “Aktiviteti i sotëm, së pari është një mesazh dashurie. Sot, e gjithë kjo godinë ka qenë e mbushur me gra të ndryshme, që kanë gjetur portën e Parlamentit të hapur dhe kanë hyrë edhe pa pasur ndonjë njohje të veçantë dhe kjo më bën të ndihem shumë mirë, së bashku me të gjitha koleget e tjera. Kryetarja Topalli priti fillimisht, në hollin e Kryesisë së Kuvendit, një grup fëmijësh nga disa kopshte të Tiranës me edukatoret e tyre, të cilët improvizuan një spektakël, ku ndërthureshin vjershat për nënën me kërkesat për të drejtat e fëmijëve.