Ruzhdie, zyrtarisht nën hetim
Zgjedhjet e shumëpërfolura të zonës së Ruzhdies në rrethin e Fierit janë nën hetimin e prokurorisë së rrethit gjyqësor Lushnjë. Lajmi konfirmohet nga kreu i prokurorisë, Altin Binaj, i cili ka thënë për “Shqip” se: “çështja e zgjedhjeve është ende nën hetim”. Edhe pse kryeprokurori i Fierit, Binaj, ka detajuar për “Shqip” se kanë qenë përfaqësuesit e grupimit politik të djathtë ata që kanë kryer padi kundër komisionerëve të PS-së, vetë drejtuesit e PD-së lokale dhe ata të PR-së kanë pohuar se asnjë padi nuk kanë kryer në kohën e zgjedhjeve. Madje, drejtuesit e PD-së thonë se me gjithë kërkesën e tyre për ndjekje penale kanë qenë krerët e grupit të punës së shtabit të zgjedhjeve për Qarkun e Fierit ata që kanë dhënë orientime për të mos e kanalizuar çështjen në rrugët e drejtësisë. Kryetari i Qendrës së Votimit 30-52 në Ruzhdie, Shezai Karari, është shprehur për “Shqip” se largimin e komisionerëve të PS-së e ka bërë prezent vetëm pranë autoriteteve zgjedhore në rreth, si dhe pranë partisë politike që përfaqësonte në zgjedhje. Ditën e votimeve ai ka njoftuar për largimin e tyre edhe pranë KQZ-së në Tiranë. Komunikimin e ka pasur në telefon dhe në procesverbalet e mbajtur për zgjedhjet prezantohet një fakt i tillë. Edhe Xhevahir Myrtaj, kryetari i PD-së së Ruzhdies ka thënë për gazetën “Shqip” se nuk ka kryer padi, pasi një vendim të tillë duhej që ta merrnin drejtuesit e partisë në shkallë rrethi dhe vendi. “Kjo gjë nuk ndodhi, ndaj e kemi lënë si çështje vetëm me raportime pranë KZAZ-së 19 dhe pranë partisë në rreth”, ka thënë kryetari i PD-së së Ruzhdies, Xhevahir Myrtaj. Gjithashtu, burime nga PD dega Fier të deklarojnë zyrtarisht se për zgjedhjet e Ruzhdies nuk ka pasur një qëndrim të tillë me ndjekje penale. Të paktën dokumentet që ndodhen si në PD-në e Fierit ashtu dhe në atë të Patosit nga varet organizata e Ruzhdies, faktojnë se të djathtët lokale nuk kanë zgjedhur rrugë ligjore. Ndryshe nga prononcimet e sipërcituara, kreu i Prokurorisë së Fierit, Altin Binaj, pyetur lidhur me hetimet e mundshme për çështjen e zgjedhjeve të Ruzhdies ka thënë se: “është e vërtetë që zgjedhjet e Ruzhdies janë nën hetim. Ecuria e hetimeve do të tregojë nëse çështja do të shkojë në gjykatë apo jo. Janë katër miniçështje brenda hetimeve që po kryhen. Nuk mund të jap sqarime të mëtejshme, por më duhet të them se procesi zgjedhor i Ruzhdies është nën hetim”. Prokurori Binaj edhe pse është treguar tepër “I ngushtë” në prononcimin e tij për çështjen e Ruzhdies ka pohuar faktin se largimi i komisionerëve të PS-së është një çështje nën hetim. Gjithashtu, nën hetim është edhe marrja e vulës së sekretarit nga përfaqësuesi i majtë. Pra, braktisja e procesit zgjedhor dhe përvetësimi i vulës janë dy çështje që po ndiqen brenda së njëjtës dosje. Burime nga prokuroria e Fierit bëjnë të ditur për “Shqip” se po hetohet edhe fakti i pretendimit për persona të armatosur pranë qendrës së votimit. Për këtë hetim provat janë të pamjaftueshme, pasi të dyja palët si PS dhe PD ka bërë ankesa të ndërsjella për këtë çështje.
Kryeprokurori i Fierit, Altin Binaj, ka thënë se përfaqësuesit e PS-së së Fierit dhe të Ruzhdies nuk kanë kryer asnjë padi për atë që pretendojnë se u ka ndodhur gjatë procesit zgjedhor, por sipas Binajt, ata i janë drejtuar Kolegjit Zgjedhor me një denoncim konkret. Fshati i vogël i Ruzhdies më 28 qershor u përfshi nga tensionet politike, të cilat çuan në largimin e përfaqësuesve të majtë dhe vijimin e procesit zgjedhor vetëm me praninë e forcave të djathta. Fshati që dikur është cilësuar zonë ballistësh së fundmi ka dhe një “nam” tjetër. Shumica e të rinjve të fshatit ka qenë të paktën një herë në burg për vjedhje apo vepra penale banale si sherre, përdhunime, plagosje etj.