Kuvendi, të hënën shqyrtimi i drafteve të socialistëve
Në fillim të javës që vjen pritet që të shqyrtohen nga strukturat e Kuvendit dy nismat ligjore të Partisë Socialiste.
Socialistët kanë dorëzuar dy ditë më parë edhe fizikisht dy draftet: Një projektvendim për ngritjen e komisionit hetimor dhe një projektligj për ndryshim në draftin e komisioneve parlamentare janë protokolluar në zyrat e sekretariatit të Kryesisë së Kuvendit nga deputetët socialistë Erion Braçe dhe Taulant Balla. Draftet mbajnë firmat e mbi 35 deputetëve dhe sipas dy dorëzuesve të tyre do të hyjnë automatikisht në rendin e punimeve, pa qenë nevoja për të ndryshuar kalendarin, ndryshim i cili kërkon shumicë të cilësuar. Mbetet tashmë në dorë të mazhorancës të përcaktojë datën dhe formën sesi do t’i shqyrtojë ato. Drafti i parë që mban autorësinë e sekretarit për çështjet ligjore, Fatmir Xhafa, është një amendim i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në nenin 17 të tij, PS-ja propozon që për hetimin e zgjedhjeve të përgjithshme ose vendore, shumica e anëtarëve të komisionit hetimor mund të vendosë hapjen e një apo disa kutive të votimit. Kjo për të këqyrur, hetuar ose publikuar një apo disa nga dokumentet zgjedhore. Po ashtu parashikohet hapja e kutive për të rinumëruar fletët, për të verifikuar problemet e evidentuara gjatë pasqyrimit të rezultatit në tabelat përkatëse. Ky komision hetimor nuk mund të ngrihet më vonë se 6 muaj nga dita kur KQZ shpall rezultatin për zgjedhjet e përgjithshme dhe tre muaj për zgjedhjet vendore.
#