E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryker

Sllobodan Samaraxhiç

Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samaraxhiç, mundi të futej dje në Kosovë, vetëm pasi plotësoi kushtet e vendosura nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker...

Ministri serb për Kosovën, Slobodan Samaraxhiç, mundi të futej dje në Kosovë, vetëm pasi plotësoi kushtet e vendosura nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Ky i fundit i vendosi dy kushte liderit serb, që të mos bënte deklarata që nxisin dhunë dhe të pranonte të takohej me të. Vetëm pasi Samaraxhiçi pranoi kushtet e vëna nga kryeadministratori, u lejua të futej në territorin e shtetit të ri të Kosovës. Ryker tha para gazetarëve, se i kërkoi Samarxhiçit edhe një shpjegim lidhur me faktin nëse qeveria e Beogradit respekton mandatin e UNMIK-ut në Kosovë. “Më duhet të pranoj se nuk jam plotësisht i kënaqur me përgjigjen e z. Samaraxhiç. Takimi ynë përfundoi pa asnjë marrëveshje”, - tha Ryker. Qëndrimi zyrtar i Beogradit është se pranon mandatin e UNMIK-ut dhe të KFOR-it, pasi ata janë në linjë me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, por refuzon misionin e BE-së, EULEX. Përpara se të takohej me Ryker, Samraxhiçi vizitoi një enklavë serbe, ku po ndërtohen 70 shtëpi për serbët e zhvendosur. Pas këtij takimi, ai u shpreh se Beogradi është kundër dhunës. “E shpjegova që unë nuk kam përmendur përdorimin e forcës dhe dhunës, sepse ne nuk mbështesim dhunën, por e kam theksuar se dhunë këtu bëjnë ata që thyen ligjin ndërkombëtar”, - tha Samaraxhiçi. Ai shtoi se qëllimi kryesor i takimit të tij me Ryker ishte ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në Kosovë. Lidershipi kosovar e quajti një provokim të Beogradit vizitën e djeshme të ministrit serb për Kosovën. “Qeveria serbe vazhdon fatkeqësisht provokimet lidhur me të ardhmen e Kosovës. Shpresoj që ata të kuptojnë se Kosova është një shtet i pavarur tashmë. Beogradi duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me Kosovën dhe jo të provokojë njerëzit tanë dhe të nxisin tensione në vendin tonë”, - tha Hajredin Kuçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›