Bakojanis: “Nëse Maqedonia nuk gjen zgjidhje, veto edhe për në BE”
Nëse Maqedonia nuk do të gjejë një zgjidhje për emrin deri në muajin dhjetor atëherë Greqia do të vendosë veto për Maqedoninë edhe për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kështu ka deklaruar ministrja e punëve të jashtme greke Dora Bakojanis në një intervistë për gazetën “Ta Nea”. Ajo ka theksuar se është herët të mendohet për veto në negociatat për procesin e afrimit të Maqedonisë drejt BE-së. “Shkupi nuk do të marrë datë për fillimin e negociatave me BE-në, nëse nuk zgjidhet kontesti për emrin. Shpresoj se deri atëherw do të arrijmë deri te zgjidhja e pranueshme për të dyja palët”-është shprehur Bakojanis. Ndërkaq, shumica e grekëve janë me qëndrimin se nuk është i pranueshëm asnjë emër që përmban fjalën “E Re”, e as emri “Maqedonia e Epërme”, të cilat u propozuan si variante të mundshme për gjetjen përfundimtare të zgjidhjes së kontestit me Shkupin, theksohet ne rezultatet nga sondazhi i publikuar në gazetën “Proto tema”.Sipas rezultateve, 67,7 për qind e grekëve nuk i pranojnë emrat Maqedonia e Re ose E Epërme. Vetëm 18,7 për qind do ta pranonin emrin Maqedonia e Epërme, ndërsa 9,2 për qind do të pranonin emrin Maqedonia e Re. Krahas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, kryeministri grek Kostas Karamanlis dhe ministrja e Punëve të Jashtme Dora Bakojanis, kanë njoftuar se Athina dëshiron ripërtëritje të negociatave me Shkupin nën patronazhin e Metju Nimiçit.
15 Prill 2008