Moda e sandaleve për këtë verë
Merita TOÇILA
Ka ardhur koha të zhveshim shputat e këmbëve, për të shijuar gjithe krijimtarinë e stilistëve në modelet e sandaleve të verës. Model klasik, me një ngjyrë apo me shumë ngjyra, të sheshta ose me taka fine apo ortopedike, është momenti të zgjidhni sandalet e duhura për t`u dukur të bukura gjatë gjithë sezonit të plazhit. Modelet që propozohen janë herë glamur dhe në stilin qytetar, herë joshëse dhe moderne. Preferohen ngjyrat e gëzuara të ndërthurura dhe me material tekstil në dok, lëkurë e tipeve të ndryshme ose kadife zero që i bën më të sofistikuar.
Me çfarëdo lloj veshjeje që të jeni, me funde apo fustane, pantallona të shkurtra ose treçerekshe, cilido që të jetë stili juaj, zgjedhja e një palë sandalesh nuk i duhet lënë rastësisë. Këtë sezon ju do të keni mundësinë të zgjidhni midis një shumëllojshmërie formash, ngjyrash dhe stilesh që iu përgjigjen gjithë ekzigjencave të modës. Mjafton vetëm të dilni dyqaneve.
Përzgjedhjen tuaj fillojeni së pari me ngjyrat: Këtë verë mund të guxoni me sandalet e sheshta në të verdhë të ndezur, jeshile e ngrohtë, blu ose me rripa me shumë ngjyra, të cilat ua zgjerojnë mundësinë e kombinimeve me veshjen. Mund të gjeni sandale edhe në ngjyrë violet me thekë, që të kujtojnë tendencën hipi. Pra këtë sezon modelet e sandaleve të sheshta nuk kanë fund. Tashmë koha e sandaleve të rënda e klasike, uniform dhe pa shije është lënë pas. Kanë ardhur krijime të denja për aksesorë të mrekullueshëm mode. Bizhu të vërteta, me perla me gurë, me qëndisje, me aplikacione, etj. Nuk ka nevojë për bizhu të tepërta në veshje kur në këmbë keni një palë sandale me lule dielli, apo kur shpina e këmbës rrethohet e gjitha me gurë kristali. Modele plot elegancë. Lartësia; për ato që preferojnë të duken më të gjata duhet të përfitojnë nga tendenca e takave. Me shumë ngjyra, romantike e mbi të gjitha të rehatshme. Janë taka me majë ose ortopedike, të lartësive të ndryshme. Modelet fantazi të krijuara enkas për verën; për t`i kurorëzuar të gjitha këto mund të shijoni gjithë krijimtarinë e lirë të stilistëve për të qenë të veshura shik gjatë gjithë stinës. Këtu fantazia nuk njeh kufij dhe veshja juaj për pasojë duhet ta ndjekë.
10 Qershor 2008