E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i UNMIK-ut në Kosovë, pritet letra e Ban Ki Munit

Sejdiu: “Letra e Ban Ki Munit pritet gjatë dy ditëve të ardhshme”. Për rikonfigurimin do të njoftohet Prishtina dhe Beogradi

Detyrat që do të kryejë UNMIK-u pas 15 qershorit në Kosovë pritet që të caktohen nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, dhe autoritetet në Prishtinë janë në pritje të një letre nga ai për rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut pas datës kur Kushtetuta e Kosovës të hyjë në fuqi. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës janë pajtuar që në Kosovë të ketë dy misione ndërkombëtare, ai i Bashkimit Europian EULEX dhe misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK. Nga ana tjetër ata kërkojnë që pas datës 15 qershor, datë kur Kushtetuta e Kosovës do të hyjë në fuqi, institucionet kosovare të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takojnë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, gjatë kësaj javë do të dërgojë një letër në Prishtinë dhe një në Beograd, ku do të njoftojë autoritetet e dy vendeve për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është shprehur se letrën e shefit të OKB-së, Ba Ki Mun, pritet ta marrë gjatë dy ditëve të ardhshme. “Ne nuk mund të paragjykojmë cilësinë por mund të themi se do të ketë një qasje të përbashkët të dy mekanizmave ndërkombëtarë edhe të UNMIK-ut e edhe të EULEX-it dhe kujtojmë se kjo do të jetë megjithatë e konceptuar në mënyrë që të ndihmojë proceset, për të përfunduar sa më shpejt. Qëndrimi ynë është bashkëpunimi edhe me institucionet ndërkombëtare dhe me atë pjesë të UNMIK-ut që mund të ketë në këtë proces të rikonfigurimit kompetenca të caktuara”,-është shprehur presidenti Sejdiu. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndërkohë ka shprehur mendimin se të gjitha institucionet e Kosovës, janë të përgatitura që më 15 qershor të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe sipas tij qeveria do ta shtrijë autoritetin e saj në të gjithë territorin e Kosovës. “Në kuadër të axhendës së diskutimit kemi avancuar së formësuari të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që dalin edhe si autoritete nga Kushtetuta e re për ne si institucione të vendit”. Edhe një javë kohë mbetet që të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, datë kjo kur pritet që edhe misioni i BE-së, EULEX, të fillojë mandatin e plotë. Udhëheqësit e misionit të BE-së, po vazhdojnë vizitat në të gjitha rajonet e Kosovës duke u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e misionit. Vizita të tilla ata kanë bërë edhe në vendbanimet serbe duke siguruar pjesëtarët e komunitetit serb të cilët kundërshtojnë EULEX-in, se misioni do të mbrojë të drejtat e tyre.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›