Pas 35 vitesh, “Njerëz të humbur” në gjurmë të Adriatik Rizvanit në SHBA
Një arratisje e dyfishtë, një takim pas shumë vitesh atë e bir dhe një e vërtetë e pazbuluar ende. Drama e familjes së Adriatik Rizvanit që prej arratisjes së tij në vitin 1977 ka ngërthyer vëmendjen e qindra teleshikuesve të shtunën në “Njerëz të humbur” në Vizon Plus. Adriatiku kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Gjirokastër. Më tej ai martohet nga kurorëzimi i së cilës lindin tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Ai kishte vendosur të arratisej nga Shqipëria, por më parë Adriatiku divorcohet nga bashkëshortja në mënyrë që familja e tij mos të internohej. Në korrik të 1976-s Adriatiku arratiset drejt Greqisë. Babai, vëllai dhe nëna e tij internohen nga regjimi komunist, ndërsa bashkëshortja me fëmijët jo. Pas 6 muajve, në familjen Rizvani vjen një telegram ku shkruhej se ai kishte ndërruar jetë, por pa dhënë asnjë hollësi. Në qershor të 1986-s babai i Adriatikut, Emin Rizvani, arratiset drejt Jugosllavisë. Në vitin 1990 djemtë e Adriatikut arrijnë të flasin në telefon me gjyshin e tyre. Emini pranoi faktin se babai i tyre nuk kishte vdekur në Greqi, por kishte shkuar në vitin 1986 në kampin e ish-Jugosllavisë, ishin takuar me njëri-tjetrin dhe të dy së bashku ishin nisur drejt SHBA-ve. Emini shton më tej se Adriatiku ishte vrarë nga disa kosovarë, por nuk kishte një varr. Fëmijët filluan të tregoheshin mjaft dyshues tek fshehja e këtij detaji dhe kërkonin doemos nga gjyshi i tyre fakte bindëse rreth vdekjes së babait të tyre. Çfarë fshihte Emini pas këtyre përgjigjeve mohuese dhe pse nuk i tregonte të vërtetën nipërve të tij!? Të dy djemtë filluan të kërkonin për gjurmë jete të Adriatikut në kontinentin amerikan dhe në gusht të vitit 2006 arrijnë të gjejnë një restorant në Ilionis të SHBA-ve. Fillimisht recepsionistja e këtij hoteli e ka pranuar që emri i babait të tyre tingëllonte i njohur, por më tej ajo ka mohuar gjithçka. Zbulimi i këtyre ngjarjeve të njëpasnjëshme rizgjoi tek djemtë detyrimin moral për të kërkuar babain e tyre. Denoncimi i historisë në “Njerëz të Humbur” vuri në lëvizje emigrantë të shumtë në SHBA të cilët natën e së shtunës treguan gatishmërinë maksimale në ndihmë të këtij rasti. Shenjat e ekzistencës së Adriatikut filluan të konfirmoheshin nga emigrantë me banim në Nju Jork, Nju Xhersi, Konektikat dhe Ilinois. Vendndodhja e tij aktuale u përcaktua Ilinois, shtet në të cilin Adriatiku, sipas informacioneve paraprake, kishte krijuar familjen e tij. Shokë të tij si dhe bashkëpunëtorë të “Njerëz të humbur” janë në përpjekje intensive që shumë shpejt historia “Rizvani” të zhvishet nga velloja 35-vjeçare e misterit dhe dy djemtë t`i japin fund ankthit së kësaj pritjeje të gjatë për babain e tyre.
SHËNIM
“Për cdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com, shkruani ne adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni ne Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
10 Qershor 2008