Ftohja e stomakut, si ta shmangim në verë
Stina e verës me temperaturat e larta që e shoqërojnë dhe higjiena jo e mirë, shton rrezikon për shfaqjen e gastro-enteriteve virale sezonal. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo rast të trajtohet me kujdes, sepse mund të jenë ngjitëse dhe të krijojnë formën e një epidemie. Gastro-enteriti është inflamacioni i aparatit tretës që përfshin: stomakun, zorrët e holla dhe ato të trasha. Prandaj shpesh kjo konsiderohet si “ftohje stomaku”. Kjo sëmundje mund të shfaqet në çdo periudhë të vitit, por gjatë sezonit të temperaturave të larta merr formën e një epidemie. Arsyeja e numrit të lartë të rasteve shpjegohet me faktin që temperaturat e larta krijojnë terren të përshtatshëm për zhvillimin e mikrobeve që shndërrohen në patogjene për aparatin tretës. Po ashtu mungesa e kushteve higjieno-dietetike krijon terren për shfaqjen e gastro-enteriteve me natyrë joinflamatore. Shkaqet e gastro-enteritit mund të jenë të ndryshme. Kryesisht ato kanë shkaqe virale, bakteriale (E.coli, slamonela, shigella, etj.), parazitare (lambia) dhe ushqimore.
Simptomat
Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, krampe abdominale (dhimbje barku), të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Në rastet e gastro-enteriteve me natyrë virale si shenjë sëmundjeje, përveç atyre që përmendëm më lart, bashkëngjitet dhe temperatura që në disa raste mund të jetë e lartë. Gastro-enteriti viral i sezonit është ngjitës. Viruset që e shkaktojnë atë përhapen nëpërmjet kontaktit me persona të infektuar. Njerëzit mund të infektohen nëpërmjet ushqimeve dhe pijeve ose ujit të kontaminuar.
Ushqimet
Ushqimet mund të kontaminohen nga vetë personat me gastro-enterit viral, sidomos kur nuk respektohet një higjienë e rregullt personale. Po ashtu, uji i pijshëm, që bëhet burim përhapje të viruseve. Gjithsesi, tani që është periudha e plazhit, shpesh nuk respektohen kushtet higjieno-dietetike dhe ushqimi shndërrohet në këtë mënyrë burim i gastro-enteriteve. Nuk ka grupmosha më të riskuara, çdokush mund të infektohet, por disa viruse prekin një grup specifik moshe. Megjithatë fëmijët, të moshuarit dhe personat që kanë një sistem imunitar të dobët sigurisht janë “viktimat” e para të gastro-enteriteve.
Pasojat
Problemi kryesor që shkaktojnë gastro-enteriteve lidhet me humbjen e lëngjeve të organizmit, të cilat duhen zëvendësuar nëpërmjet solucioneve fiziologjike. Dehidrimi mund të jetë i gradave nga më të lehta deri tek ato më të rënda. Kuptohet që format e rënda shkaktojnë ndërlikime serioze, që mund të shkojnë deri në anemi, apo te personat e moshuar probleme kardiake si pasojë e humbjes së natriumit dhe kaliumit. Këto kripëra janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e zemrës.
Trajtimi
Hapi i parë në trajtimin e gastro-enteritive virale është parandalimi i humbjeve serioze të lëngjeve (dehidrimi). Ky trajtim mund të fillojë që në shtëpi. Në këto raste rekomandohet marrja e solucioneve dehidruese në formën e trisolit. Një paketë tretet në ½ litër ujë të pastër. Ndërsa përsa i përket trajtimit me medikamente, rekomandohet që të nisin pas 72 orësh, kohë e mjaftueshme që organizmi të jetë “vetëpastruar” nga toksinat e mundshme që mund të ndodhen në të. Në rastet e gastro-enteriteve inflamatore, që janë kryesisht me natyrë bakteriale mund të përdoren antibiotikët. Ndërsa në rastet që nuk i përgjigjen mjekimit apo që kanë kaluar në fazë dehidrimi të rëndë, natyrisht kërkohet trajtim i specializuar në spital. Çdokush mund të reduktojë shansin e marrjes së infeksionit nëpërmjet një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Gjithashtu, duhen dezinfektuar sipërfaqet e prekura me pastrues me bazë klori, si dhe eliminimi i ushqimeve të dyshuara për kontaminim. Natyrisht tani që është periudha e plazhit duhet që të tregohet kujdes në gatimin, ruajtjen e ushqimeve që mund të merren me vete. Kujdes duhet treguar në ujin e pijshëm dhe personat që kanë depozita në shtëpi duhet t’i derdhin herë pas here dhe t’i lajnë.
Simptomat
Diarre e ujshme
Të vjella
Dhimbje koke
Ethe
Dhimbje stomaku
Këputje trupi
Temperaturë
Mungesë oreksi
Dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh
Përgatiti: Jonida Tashi
Të rejat nga shkenca
Studimi, zbulohen gjenet e skizofrenisë
Shkencëtarët e Universitetit të Harvardit kanë zbuluar gjenet të cilat kanë lidhshmëri me rrezikun më të madh të zhvillimit të çrregullimeve psikiatrike, siç është skizofrenia, çrregullimet bipolare dhe depresioni. Studimi i ri, i cili është realizuar në njërin nga fakultetet më të njohura të mjekësisë në botë, në Harvard, ka dhënë një kuptim të ri për mënyrën se si ndikojnë gjenet në aspektet e ndryshme të vëmendjes, kujtesës dhe percepcioneve. Shkencëtarët nga Universiteti i Harvardit kanë zbuluar se “gjurmët” e skizofrenisë janë më të shpeshta në disa familje. Në këtë mënyrë, disa nga këto “gjurmë” janë vërejtur te 37 për qind e personave të cilët nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes, ndërsa kanë lidhshmëri familjare me personat e sëmurë nga skizofrenia. Ky zbulim i gjeneve të cilët janë të pranishëm te familjarët e shëndoshë dhe të sëmurë, tregon mundësinë e trashëgimit gjenetik të çrregullimeve skizofrenike, ndërsa ky studim është vetëm hapi i parë në kuptimin e këtyre gjeneve.
10 Qershor 2008