E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti i Helsinkit: “Zgjedhjet në Maqedoni, më të këqijat e organizuara”



Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni ishin zgjedhjet e organizuara më keq në historinë e këtij vendi. Ky ka qenë vlerësimi i Komitetit të Helsinkit në raportin për zgjedhjet. Sipas KH-së, zgjedhjet nuk ishin korrekte dhe demokratike së paku për një të katërtën e popullatës së shtetit. “Rivotimi fatkeqësisht do të jetë vetëm një shans që simbolikisht të përmirësohet përshtypja nga incidentet e 1 qershorit, që do të jenë njollë e zezë për proceset demokratike në vend”,-thuhet mes të tjerash në raport. Pushteti vendor nuk i përmbushi obligimet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet duke shkuar drejt përmbushjes së interesave partiake. Komiteti i Helsinkit akuzon qeverinë maqedonase për shpenzime të panevojshme në periudhën parazgjedhore dhe kjo vetëm për interesa të ngushta partiake.
Vërejtje vijnë edhe për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, i cili, sipas KH-së, ka punuar sipas porosive të Qeverisë. Komiteti i Helsinkit, veçanërisht përqendrohet në punën e policisë, duke vlerësuar se policët nuk kanë ndryshuar, por kanë zbatuar direktiva partiake.

Maqedoni, votimet do të përsëriten në 193 vendvotime

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë vendosi që zgjedhjet në Maqedoni të përsëriten në 193 vendvotime dhe këto votime do të zhvillohen më 15 qershor. Ndërkohë, partitë shqiptare kanë paraqitur një numër rekord ankesash lidhur me incidentet në këto zgjedhje. Kryetari i KSHZ-së, Jovan Josifovski, deklaroi se pas zgjedhjeve të 1 qershorit ishin parashtruar gjithsej 375 ankesa, nga të cilat 131 nga Partia Demokratike Shqiptare, 139 nga partia e Ali Ahmetit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe pjesa tjetër nga partitë maqedonase. KSHZ-ja deklaroi pak ditë më parë se të dy partitë shqiptare, rivale mes tyre, kanë fituar numër të njëjtë deputetësh në parlamentin e ri të Maqedonisë.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›