E Diel, 1 Nëntor 2026

Respektimi i standardeve dhe roli i faktorit ndërkombëtar

Intervistë me Profesor Arben Puton, mbi rolin e faktorit ndërkombëtar në zhvillimet politike në Shqipëri

Zhvillimet më të fundit në arenën e politikës shqiptare, konfliktualiteti dhe debatet mes palëve kanë sjellë një reagim të fortë të faktorit ndërkombëtar, i cili ka ndërhyrë për t’i zgjidhur. Por, mënyra se si po veprohet prej këtyre të fundit ka ngjallur reagimin e syrit kritik të ekspertit të çështjeve ndërkombëtare. Profesor Arben Puto, në një intervistë dhënë për gazetën “Albania”, e komenton me kujdes sjelljen e faktorit ndërkombëtar me palët politike në Shqipëri, si dhe reagimin e këtyre të fundit karshi qëndrimeve kritike ose ultimatumeve të ndërkombëtarëve. Ai i ka bërë një analizë të kujdesshme sjelljes së ndërkombëtarëve me politikanët shqiptar, si dhe ndërhyrjes së tyre deri në punët e brendshme të vendit tonë. Për këtë, Prof. Puto u është referuar ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare, si dhe ngjarjeve të ndodhura gjatë 10 viteve të fundit, të cilat raste të përngjashme me atë të Shqipërisë kanë qenë mjaft konkretë.

Këto ditë, gjatë debateve mbi krizën e zgjatur politike, janë këmbyer vërejtje dhe replika me përfaqësues të huaj. Si trajtohet kjo çështje nga e drejta ndërkombëtare?

Në përgjithësi duhet pasur parasysh se e Drejta Ndërkombëtare, si degë e së drejtës që rregullon marrëdhëniet midis shteteve, ndodhet në një proces të vazhdueshëm rinovimi gjatë shekullit XX, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Thelbi i këtij procesi rinovimi është një raport i ri midis normës ligjore të brendshme dhe normës ndërkombëtare, midis ligjit të brendshëm dhe ligjit ndërkombëtar. Ky raport i ri konsiston në të drejtën që i njihet faktorit ndërkombëtar për të ndërhyrë në jetën e brendshme në raste shkeljesh të standardeve të njohura përgjithësisht.
Tanimë është kapërcyer dogma e mosndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti. Më parë mund të bëheshin shkelje nga shteti. Ai nuk përgjigjej, fshihej prapa dogmës së mosndërhyrjes në punët e brendshme. Mjafton të përmendet ndërhyrja e NATO-s në Kosovë për t’i dhënë fund gjenocidit serb. Millosheviçi e quajti agresion, por kjo nuk pengoi që ai të dilte në gjyq.

Ku bazohet ligjërisht kjo e drejtë e ndërhyrjes?

Ka një korpus të tërë aktesh ndërkombëtare që e parashikojnë dhe e ligjërojnë këtë të drejtë. Lista është e gjatë, por le të kufizohemi me Këshillin e Europës dhe në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku Shqipëria është palë.
Statuti i Këshillit të Europës obligon çdo shtet anëtar që të pranojë parimet e shtetit ligjor dhe të njohë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Kur gjykohet se janë bërë shkelje, përfaqësuesit e huaj, të akredituar zyrtarisht, e kanë të drejtë të bëjnë vërejtje. Kjo nuk mund të quhet më shkelje e sovranitetit të shtetit. Nuk ka më sovranitet absolut, është ceduar vullnetarisht një pjesë e tij. Kur shteti bëhet anëtar i një organizmi ndërkombëtar, ai është i obliguar të respektojë statutin, standardet e tij. Mund të diskutosh për thelbin e çështjes, mund të japësh argumentet e tua, por jo të hedhësh poshtë një vërejtje si shkelje e vendimit të parlamentit sovran.

Kjo çështje ka dalë në dy raste; njëri kur kryeministri Berisha mohoi që të ketë pasur ultimatum nga Strasburgu për zgjidhjen e krizës brenda dy javëve. Sa e rregullt është kjo?

Mendoj se këtu ka një keqkuptim. E para, Strasburgu, i lodhur nga kriza e zgjatur në një vend anëtar, ka vënë një afat për zhbllokimin e situatës. Mos e quaj “ultimatum”, por një kërkesë që të angazhon, një thirrje krejt e ligjshme për të nxitur kompromisin midis palëve. Shqipëria synon që të njihet si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Politikanët e dinë mirë se ajo nuk mund të pranohet pa përmbushur standardet, me një parlament “sovran”, gjysmak dhe një situatë konfliktuale deri në një konfrontim ballor. Qeveria, sado “e ligjshme”, nuk mund ta injorojë këtë kërkesë të Strasburgut.

Rasti tjetër është ai i ambasadorit të SHBA-ve, Withers, i cili bëri një vërejtje kritike për rrëzimin e kandidaturës së një juristi me përvojë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ambasadori u bë objekt sulmesh.

Kam mendimin se në këtë rast është kaluar çdo masë. Disa analistë mendjemprehtë kanë arritur të thonë se ky ka qenë një mendim personal i ambasadorit amerikan. Kjo do të thotë të vihet në dyshim serioziteti i Departamentit të SHBA-ve. Ambasadori ka ushtruar funksionin si përfaqësues i qeverisë së tij. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Withers dhe diplomatë të tjerë bënë vërejtje serioze për projektligjin e SHISH-it. Qeveria veproi drejt dhe e ktheu projektligjin mbrapsht. Diplomacia amerikane nuk është më pak e ndjeshme për respektimin e standardeve, të drejtave dhe të shtetit ligjor. Ambasadori e quajti atë një vendin politik që nuk është nisur nga kriteret e profesionalizmit, por nga synimi për të vënë nën kontroll sistemin gjyqësor. Caktohet kështu ndarja e pushteteve, goditet pavarësia e Gjyqësorit nga Ekzekutivi. Ky është një parim bazë i shtetit ligjor. Withers niset nga eksperienca e vendit të tij në këtë fushë dhe si diplomat amerikan nuk mund të rrijë indiferent përballë një vendimi që e gjykon shkelje. Edhe në këtë rast është nonsens, është mosnjohje e rregullave të thuash se u godit “vendimi i parlamentit sovran”. Përsëri, as këtu nuk ndihmon “sovraniteti”, as dogma e mosndërhyrjes në punët e brendshme. Është një vërejtje legjitime për një problem shumë serioz të shtetit ligjor. Le të diskutohet, le të jepen argumente, por jo të injorohen aktet bazë të së drejtës ndërkombëtare të kohës sonë.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›