E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha të pranojë kompromisin duke i hapur rrugën integrimit të vendit”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, një ditë para Samitit të Sarajevës për Ballkanin, i bëri thirrje kryeministrit Sali Berisha të pranojë kompromisin për t’i hapur rrugën transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama ka nënvizuar se moszgjidhja e krizës politike do të ketë pasojat e saj në kurriz të shqiptarëve, ndërsa përgjegjësia do të jetë vetëm e kryeministrit. Pasojat, të cilat, sipas Ramës, do të ndihen në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Deklarata
Lideri i opozitës theksoi se kërkesën për transparencën e zgjedhjeve e kanë mbështetur edhe ndërkombëtarë. Sipas Ramës, kjo krizë është e papranueshme për komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk ka vend e shoqëri demokratike që të pranojë mungesën e transparencës si standard dhe mohimin e transparencës si një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese në demokraci. “Dua t’i kujtoj zotit Berisha se jemi pranë pikëmbërritjes që na është lënë nga miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën e transparencës dhe nuk duhet t’i rëndojmë Shqipërinë e shqiptarët me pasojat e moszgjidhjes së kësaj krize. Këto pasoja janë bërë shumë të qarta në tryezën e Strasburgut dhe dje janë shprehur hapur edhe nga drejtuesi i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, europarlamentari i djathtë Eduard Kukan”, - u shpreh Rama, duke theksuar se “unë i bëj apel zotit Berisha të pranojë kompromisin e t’i hapë rrugë transparencës, duke i hapur rrugën liberalizimit të vizave dhe procesit të integrimit europian, të cilat miqtë e partnerët tanë i kanë kushtëzuar me zgjidhjen e krizës”.
Kompromisi
Në kushtet kur maxhoranca nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, kreu i opozitës u shpreh se Partia Socialiste ka treguar interes duke pranuar kompromisin për hir të proceseve integruese të vendit. “Zoti Berisha nuk duhet të mendojë se afati ultimativ i Strasburgut mund të zhbëhet me deklaratat e pasjellshme të zëdhënësve të partisë së tij apo se miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë nuk do t’i qëndrojnë paralajmërimit të tyre në rast të mosgjidhjes së krizës”, - tha Rama. Kryesocialisti i bëri thirrje Berishës të pranojë kompromisin, duke u hapur shqiptarëve rrugën e normalitetit demokratik përmes transparencës publike të kutive të mbyllura dhe duke u hequr atyre kufijtë e lëvizjes në Europë përmes liberalizimit të vizave. “Kompromisi e garanton këtë. Ne e kemi pranuar kompromisin”, - u shpreh Rama.

Braçe: “Kryeministri Berisha, përgjegjës për rritjen e borxhit publik”

Partia Socialiste ka deklaruar me shqetësim se kryeministri Sali Berisha ka rritur borxhin publik. Deputeti Erion Braçe e cilësoi si të paaftë dhe mashtrues kryeministrin Berisha, duke theksuar se ai po e thellon në mënyrë të pandalshme krizën ekonomike edhe për shkak të rritjes marramendëse të borxhit publik. Sipas socialistit Braçe, kryeministri duhet ende të sqarojë sesi do të paguajë shifrën që sipas tij ka nivelin e 634 miliardë lekëve. "Përtej numrave zyrtarë të raportuar deri më tani, kryeministri vijon të flasë për bollëk dhe mirëqenie, për politika sociale dhe veçanërisht për kujdes ndaj të varfërve", - u shpreh Braçe. Deputeti socialist deklaroi se në vetëm 4 muaj deficiti ka arritur në është 184% të planit ligjor. “Sali Berisha, vijon të flasë- siç edhe sot- për rritje ekonomike kur vendi është në një krizë të thellë, jo vetëm ekonomike por edhe sociale, aq sa varfëria ka kapur majat. Sali Berisha, vijon të flasë - siç edhe sot gjithë ditë, për stabilitet financiar, kur financat publike janë në krizë të thellë, duke hapur në vetëm 4 muaj në buxhetin e shtetit për vitin 2010, një gropë prej 100 milion dollarësh”, - u shpreh Braçe. Sipas tij,
pjesa dërrmuese e borxhit publik të brendshëm të vendit, i cili llogaritet në mbi 409 miliardë lekë të reja, ose në mbi 4 miliard dollarë, duhet të shlyhet brenda afatit 1 vjeçar. Kështu sipas Braçes, qeverisë i duhet të rinovojë 270 miliardë lekë të rinj, ose 2.7 miliardë dollarë borxh me interesin gjithnjë në rritje të tregut të lirë. Përsa i përket borxhit të jashtëm të Shqipërisë në vetëm 2 vitet e fundit, Braçe deklaroi se nga 2007 deri në 2009-n është rritur me 66%, ose në vlerë mbi 650 milionë euro. “Ne prisnim sot nga Sali Berisha dhe nga ministri i tij i financave që të na tregonte se ku do t’i gjejë 900 milionë dollarë për të paguar interesat e borxhit në vitin 2012. Do të rrisë taksat apo do të ulë shpenzimet, veçanërisht shpenzimet sociale, për shtresat më në nevojë në këtë vend. Përtej këtyre numrave zyrtarë, të referuar në të gjitha dokumentet zyrtare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe në dokumentet zyrtare të Bankës së Shqipërisë, po prapë filiali i tij, Sali Berisha vijon të flasë - siç edhe sot- për bollëk dhe mirëqenie, për politika sociale dhe kujdes ndaj të varfërve”, - u shpreh deputeti Braçe.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›