Ryshfeti, KLD denoncon gjyqtarin e Gjykatës së Matit
"Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e fakteve dhe hetim ndaj gjyqtarit të Matit, Vesel Bako. Një kasetë filmike, ku gjyqtari dallohet duke marrë para është, prova e mitmarrjes.
TIRANE- Një kasetë filmike ku një gjyqtar i Matit dallohet qartë duke marrë para, ka qenë një provë mjaft e fortë që Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ta denoncojë aktin korruptiv në Prokurori. Gjyqtari Vesel Bako është kallëzuar për veprën penale të mitmarrjes dhe organi i akuzës ka nisur hetimet ndaj tij. Burime zyrtare pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklarojnë se gjyqtarit të denoncuar do t'i hiqet dhe imuniteti, pasi njerëz që dyshohen se janë të përfshirë në afera korruptive nuk mund të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Denoncimi i gjyqtarit Bako u bë nga KLD-ja në kuadër të luftës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë. Organi qendror i akuzës i kryesuar nga Ina Rama do të vendosë për fatin e gjyqtarit.
Mitmarrja
Ankesat e avokatëve se një nga gjyqtarët që ushtronte funksionin pranë Gjykatës së Shkallës së parë Mat kryente akte korruptive duke marrë ryshfete në këmbim të uljes së viteve të dënimit për të akuzuarit, ka vënë në lëvizje Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por kur në dorën e inspektorëve ka mbërritur një kasetë filmike ky gjyqtari Vesel Bako shfaqej duke marrë para, atëherë nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, por KLD-ja ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj togës së zezë. "Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e fakteve dhe hetimin e të dhënave mbi një shqetësim zyrtar raportuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë ndaj gjyqtarit Vesel Bako", - thuhet në njoftimin për shtyp të KLD-së. Më tej saktësohet se "nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është urdhëruar verifikimi i ligjshmërisë së veprimtarisë gjyqësore ndaj gjyqtarit V.B. mbi baza ankimi konkret, dhe njëkohësisht, i është nisur për kompetencë dhe për një hetim më të thellë të çështjes, materiali i nevojshëm pranë organit të akuzës shqiptare, si autoriteti i vetëm i cili mund të vendosë fillimin e procedimit penal".
Hetimet
Në dorën e prokurorisë gjendet tashmë i gjithë raporti i Inspektoratit të KLD-së si dhe kaseta me pamjen filmike, ku gjyqtari Bako shihet qartë duke marrë para në këmbim të një vendimi që do t'i ulte vitet e dënimit një të akuzuari. Ankesat kanë ardhur nga përfaqësues të avokatisë në rrethin e Matit, sipas të cilëve gjyqtari merrte ryshfete. Është prokuroria ajo qe do të vërtetojë nëse gjyqtari Bako është i implikuar në afera korruptive.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)