Veliaj në Gjermani: Ju tregoj të vërtetat e Berishës
Një ditë pas vizitës së Kryeministrit Sali Berisha në Gjermani krue i grupit G99 zhvilloi një takim me ministrin e jashtëm gjerman,Steinmeier. Ai kërkoi të informohej për hetimet mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve, si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias.
BERLIN- Shfryhet “suksesi” i vizitës së Kryeministrit Berisha në Gjermani. Ajo që kreu i Qeverisë e paraqiti dy ditë më parë në mbledhjen e qeverisë si një vizitë e suksesshme, nuk ka rezultuar aspak si e tillë. Kreu i Qeverisë shqiptare, Berisha është munduar që gjatë takimeve të tij me personalitetet gjermane të informojë vetëm arritje të qeverisë së tij. Gjithçka është zbuluar dje, nga një takim që drejtuesi i grupimit G99, Erion Veliaj pati pikërisht në Potsdam të Gjermanisë, një ditë pas vizitës së Kryeministrit Sali Berisha, me zv/kancelarin dhe ministrin e Jashtëm gjerman si dhe kryetar interim i SPD, Frank-Walter Steinmeier. Veliaj informoi zv/kancelarin Steinmeier mbi synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit kur të marrin drejtimin e vendit në 2009. Steinmeier, nga ana e tij kërkoi të informohej më tej për ecurinë e hetimeve mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri, pas gjobave që pasuan fushatën elektorale të filluar tashmë nga Berisha me spotet propagandistike. “Këto çështje përbëjnë shqetësim të vërtetë për vlerat europiane, do t’i ngremë për diskutim në mbledhjen e radhës së ministrave të Jashtëm të BE-së”, - përfundoi Steinmeier. G99 ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit, duke nënvizuar se imazhi i qeverisë Berisha nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë. Një ditë më parë, në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri Berisha tha se Kancelarja Merkel shprehu vlerësimin më të lartë për reformat e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe premtoi rritjen e mbështetjes për Shqipërinë. Sipas Berishës, “Kancelarja Merkel siguroi se ndihma gjermane për Shqipërinë do të rritet dhe kam kënaqësi t’ju informoj se në këtë kuadër, janë miratuar dhe janë në finalizim e sipër rreth 120 milionë euro të tjerë për projekte shumë të mëdha”. Ndërsa në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, u tha se “Kryeministri Berisha e ka njohur Kancelaren Merkel me të gjitha reformat e ndërmarra në Shqipëri, për të cilat, theksoi ai, Kancelarja shprehu vlerësimin më të lartë”. Por, në takimet e djeshme që drejtuesi i G 99 Veliaj ka pasur me zv/kancelarin gjerman, ky i fundit ka shprehur habi se si nuk janë njoftuar nga Kryeministri në lidhje me situatën reale dhe ankesat e opozitës. Ndërkaq, gjatë takimeve të djeshme të Veliaj, zyrtarët e SPD-së vlerësuan gjithashtu punën e opozitës shqiptare dhe u angazhuan që të jenë prezentë me asistencën dhe ekspertizën e tyre për të ndihmuar në përgatitjet e programit, kryesisht në fushat e arsimit profesional, punësimit dhe elementeve të shtetit social. Pas të majtës italiane, SPD gjermane bëhet e dyta forcë e majtë europiane që ofron ndihmë për opozitën në zgjedhjet e vitit 2009. “Shqipëria nuk mund të mbetet një enklavë jo-europiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi. Qeveria e ardhshme nuk do të ketë komplekse inferioriteti ndaj fqinjëve dhe do të aplikojë menjëherë për statusin e kandidatit brenda 2009-ës”, - tha Veliaj. Veliaj mori premtimin për angazhim nga ana e zv/kancelarit Steinmeierit për të rritur kuotat e bursave dhe vizave për studentët shqiptarë. “Sot të gjithë trafikantët e kapur gëzojnë viza Schengen shumëvjeçare me disa hyrje-dalje, kurse një student ende ëndërron Perëndimin pas hekurave refuzuese të ambasadave, ju kërkoj të bëni më të mirën në fuqinë tuaj për ta ndryshuar këtë realitet”, - vijoi Veliaj.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)