E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S ka letërnjoftime falas, nuk janë karta votimi”

Autori i Lajmit: red.
Shefi i mazhorancës, Berisha, u shpreh gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë se “nuk do të ketë letërnjoftime falas, pasi ato nuk janë karta dhe letra votimi”. Ai shtoi se procesi për pajisjen me karta identiteti dhe pasaporta biometrike ka një ecuri të shkëlqyer dhe po kompletohet para afatit. Ky proces është ndër më të rëndësishmit dhe më të suksesshmit në vend. Ky proces, tha Kryeministri, po ecën me ritme të cilat kanë arritur rreth 12 mijë aplikime në ditë. Deri tani janë 277 mijë aplikime, janë mbi 125 mijë karta të prodhuara për Tiranën, të shpërndara në qendrat e minibashkive. “Me gjithë zhurmën e pa bazë të opozitës, e cila përpiqet me çdo kusht ta nxijë këtë proces, një nga proceset më të rëndësishme dhe më të suksesshme në historinë e këtij vendi, dokumente të cilat bëjnë që shqiptarët të barazohen me të gjithë qytetarët evropianë, pra me gjithë fushatën nxitëse, siç ju e shihni, 277 mijë qytetarët kanë aplikuar për karta identiteti. Nga kontigjenti prej 700 mijë qytetarësh që janë pa pasaporta, kanë mbetur rreth jo më shumë se 400 mijë”, - tha Kryeministri. Në këtë mënyrë, theksoi Berisha, ata të cilët u ranë borive se procesi po dështon dhe nuk po ecën, ata e marrin përgjigjen me statistika. “Ky është një lajm pozitiv që merr mbarë vendi, për ecurinë e shkëlqyer të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit”. Duke u ndalur në cilësinë e prodhimit të këtyre kartave të identitetit, shefi i ekzekutivit vlerësoi se ato janë të standardeve më të mira, nuk janë thjesht karta votimi, por janë karta identiteti, me të cilat, në një të ardhme jo të largët, do të mundet të udhëtohet. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të shkojnë të tërheqin kartat e prodhuara, duke falënderuar dhe përgëzuar 277 mijë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar deri tani. Më tej, ai siguroi se këto zgjedhje do të kenë infrastrukturën më të mirë teknike se çdo proces zgjedhor tjetër në historinë e këtij vendi. Gjithashtu, theksoi se i ka parashtruar një ditë më parë Misionit të ODIHR-it, i cili vizitoi Shqipërinë, që të kërkojë një numër sa më të madh vëzhguesish nga e gjithë bota. Të njëjtën gjë i ka shprehur edhe zëvendësministrit të Jashtëm të Çekisë, i cili në takimin e ditës së martë me Berishën erdhi me një mesazh shumë miqësor nga Kryeministri çek, Topolanek.
Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›